18-05-2024

Gjykimi për korrupsion, dëshmitari thotë se ish-kryetari i Malishevës e ka propozuar vendin për zonën ekonomike

Faton Mazreku, ish-gjeodet në Komunën e Malishevës ka deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në zyrën e gjeodezisë e ka propozuar vendin për zonën ekonomike në Malishevë.

Këtë deklarim, dëshmitari Mazreku e bëri në seancën e së martës në gjykimin ndaj Bajram Hasanit, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqit, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begajt, ish-kryetar i Komunës së Malishevës,  nënkryetarit të kësaj komune, Hajdin Berisha.

Bashkë me ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me quajt rastësi nuk e di, por unë kam qëlluar në zyre të gjeodezisë, është zyre e hapur kur ka hy kryetari Ragip Begaj dhe ka propozuar vendin për zonën ekonomike, ka qenë edhe drejtori e kadastrit Bashkim Krasniqi dhe shefi i drejtorisë së kadastrit Malë Krasniqi, dhe aty kryetari e ka propozuar vendin për zonë ekonomike”, ka thënë dëshmitari Mazreku.

Fillimisht, i njëjti sqaroi se në periudhën 2017-2019 ka qenë i punësuar në Komunën e Malishevës, me pozitë gjeodet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Naim Abazi, dëshmitari Mazreku tha se në terren sipas detyrës zyrtare kanë dalë në rastet kur ka nevojë për pronë publike si t’i definojnë rrugët ose për ndonjë konstatim të uzurpimit, kurse në pronat private vetëm me kërkesë të palëve.

Dëshmitari tha se ka njohuri lidhur vendimin e qeverisë për shpronësimin e pronave në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik dhe se në rastin konkret ai kishte dalë në terren vetëm për matjen e pronës publike.

“Ne s’kemi bërë matje të pronave private, por na e kemi bërë matjen e vetëm të pronave publike, siç ka qenë rruga që shpie në fshatin Senik dhe autostradën Ibrahim Rugova”, tha ai.

Mazreku pohoi se kishin dalë në terren për zonën ekonomike me qëllim të rregullimit të dokumentacionit dhe se kjo dalje ishte bë me kërkesë të drejtorit Bashkim Krasniqi dhe shefit Malë Krasniqi.

“Mbasi u bë propozimi i lokacionit, është bo vija e zonës ekonomike, ne s’jemi dalë në terren me i nda parcelat se ky ka qenë vetëm propozim, ne kemi dalë në terren së bashku me Malë Krasniqi dhe Kushtrim Krasniqi për rilevimin e rrugës të Senikut, për arsye se rruga e Senikut ka pasur devijim nga ajo ekzistuesja që ka qenë dhe na është dashtë me ditë ku është rruga e re, që me pas pozicionim të saktë që shpie në fshatin Senik’’, shtoi dëshmitari Mazreku.

Tutje ai tha se nuk iu kujtohet biseda në mes të kryetarit, drejtorit dhe shefit në kohën kur sipas tij, ata e kanë caktuar vendin ku të bëhet zona ekonomike për Komunën e Malishevës.

Por, që tha se i qëndron prapa deklaratës së tij të dhënë në polici më 11 nëntor të vitit 2020.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Begaj, avokati Rrahman Kastrati, nëse me rastin e daljes në terren kanë pasur çfarëdo qëllimi apo vetëm rilevimin e rrugës Senik, ai tha se të njëjtit nuk kanë pasur asnjë qëllim tjetër.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Bashkim Krasniqi, avokatit Ramadan Paqarizi, dëshmitari Mazreku tha se ka nuk njohuri çfarë roli ka pasur drejtori në këtë rast dhe as nuk e di nëse drejtori është përgjegjës të propozojë lokacion për zonë ekonomike dhe në daljen në terren të lartpërmendur, sipas tij drejtori Krasniqi nuk ka qenë bashkë me ta.

Dëshmitari Mazreku u përgjigj edhe në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Malë Krasniqi, avokatit Emrush Kastrati, ku dëshmitari tha se shefi i gjeodezisë ka punuar në zyrë të përbashkët me gjeodetët.

Tutje, në rimarrje në pyetje nga prokurori Abazi, i pyetur nëse ka prona publike dhe private në zonat kadasrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, dëshmitari Mazreku tha se këto zona janë zona të mëdha kadastrale.

Andaj, sipas tij brenda tyre ka edhe prona private dhe publike, kurse afër zonës ekonomike, i njëjti tha se nuk e di që ka prona publike.

Ndërkaq, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili, nëse kjo zonë është formuar apo ka mbetur veç në letër, ai tha se me sa ka njohuri kjo zonë ka mbetur në letër.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Kushtrim Krasniqi, gjeodet në Drejtorinë e Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Malishevës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Abazi, dëshmitari Krasniqi tha se ai me kolegët e tij kishte dalë në terren në zonën ekonomike, por jo për t’i vendosur pikat, por sipas tij për të konstatuar një gabim të rrugës që shpie për Senik.

Ai tha se për të dalë në terren ka pasur kërkesë verbale nga drejtoria dhe se incizimin e gjendjes faktike e kanë bërë vetëm në rrugën publike.

Dëshmitari Krasniqi tha se personi kontaktues mes MTI-së në atë kohë dhe Komunës së Malishevës lidhur me krijimin e zonës ekonomike ishte caktuar ai dhe për këtë ishte njoftuar nga drejtori, duke shtuar se detyrat specifike nuk i kujtohen por që ka pasur obligim të e ndihmojë MTI-në për çdo gjë që ka pasur nevojë.

“Nuk kemi arritur të bëjmë asgjë, se u ndërpre, një takim e kemi pasur në zyre në Malishevë, emrat nuk po më kujtohen, sa më kujtohet kanë qenë dy persona me emrat të njëjtë, Armend po me mbiemra të ndryshme, më pas na kanë njoftuar se kryeministri i atëhershëm e ka anuluar krijimin e zonës ekonomike dhe më nuk kemi pasur kontakte’’, shtoi dëshmitari Krasniqi.

Ai po ashtu deklaroi se kur është propozuar krijimi për zonën ekonomike nuk ka qenë në zyrë, por kur është kërkuar nga drejtoria grumbullimi i dokumentacionit, sipas tij atëherë e ka bërë skicën pasi që e ka detyrë dhe të njëjtën e ka nënshkruar.

Dëshmitari Krasniqi tha se ka qenë pjesë e grupit punues për planin zhvillimor të Komunës në vitin 2012-13, por se nuk i kujtohet nëse atëherë ka qenë e planifikuar krijimi i zonës ekonomike.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Emrush Kastrati, ai tha se shefi Malë Krasniqi ka punuar në të njëjtën zyrë me rreth nëntë punëtor të tjerë.

Po ashtu, ai potencoi faktin se ku është propozuar krijimi i zonës ekonomike, aty afër nuk ka prona publike, por sipas tij, brenda fshatin Senik ka prona publike.

Duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Bajram Hasani, avokatit Ymer Huruglica, dëshmitari Krasniqi tha se nuk e di se në cilën agjenci kanë punuar zyrtarët e MTI-së kur është takuar me ta dhe se të njëjtin sipas tij, janë prezantuar si zyrtarë të MTI-së, andaj nuk i kujtohet nëse ata kanë qenë pjesë e agjencionit “Kiesa”, si agjencion i pavarur në kuadër të MTI-së.

Ndërsa, kur është përgjigjur në pyetjet e avokatit Paqarizi, ai tha se për të nënshkruar skicën nuk e ka detyruar drejtori, pasi që sipas tij janë vetëm dy zyrtarë që lëshojnë skica, cili të është i lirë, i nënshkruajnë të njëjtat.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Nol Buzhala, udhëheqës i drejtoratit për zhvillimin e sektorit privat në MTI, i cili tha se gjatë vitit 2019 ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në “Kiesa” (Agjencioni për promovimin e investimeve dhe ndërmarrjeve në Kosovë).

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Abazi tha se ka dëgjuar për krijimin e zonës ekonomike në Malishevë përmes kërkesave nga Komuna e Malishevës në Ministri, e cila sipas tij është pranuar nga ish-kryeshefi me numër të protokollit 01, ndërsa ministër në atë kohë sipas tij ka qenë Bajram Hasani.

Dëshmitari Buzhala ka sqaruar se nga ana e ish-kryeshefit ka pasur një përgjigje për ministrin se kërkesa për shpronësim të parcelave në këto zona nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret sipas legjislacionit në fuqi.

“Është bërë një përgjigje nga ish-kryeshefi për ministrin e asaj kohe, zotëri Bajramin, ku ndër të tjera ceket se kjo nuk është ‘e gatshme’, s’po di saktë qysh është përshkruar, nuk është e gatshme me dokumentacion për zonën ekonomike, por do të shqyrtohet në të ardhmen nëse plotësohen kërkesat sipas udhëzimit administrativ 01/14 për zona ekonomike – e MTI-së, e të cilat ndër kritere ka: vendimin e Komunës, pëlqimin nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ambientit, e Infrastrukturës, e trajtimit të ujerave të zeza, furnizimin me ujë, me rrymë”, sqaroi dëshmitari Buzhala.

Ai tha se këto janë disa që po i kujtohen dhe se kërkesa kur ka shkuar tek ata, nuk i ka pasur këto dokumentacione.

Po ashtu, dëshmitari theksoi se vendimi mbi shpronësimin e zonave për themelim të zonave ekonomike është nxjerrë mbrapa përgjigjes nga ish-kryeshefi.

“Derisa përgjigja ka qenë nga ish-kryeshefi dhe vendimet kanë ardhur kur ish-kryeshefit i ka skaduar mandati, po i bie që janë nxjerrë mbrapa”, tha dëshmitari Buzhala.

Por që theksoi se ai personalisht asnjëherë nuk ka pasur kërkesë specifike nga ministri Hasani dhe kabineti i tij që të merret ekskluzivisht me këtë çështje.

Tutje, dëshmitari Buzhala sqaroi se zakonisht ministria me komunat bëjmë marrëveshje bashkëpunimi ku i ndajnë përgjegjësisë, e që në rastin konkret sipas tij, tek obligimet e ministrisë është shkruar të bëhet edhe elaborati e shpronësimin të zonave.

Sipas tij, komuna e kishte sjellë një draft-elaborat të gatshëm, të cilin ministria e kishte dërguar në Agjencionin Kadastral të Kosovës (AKK).

“AKK na ka kthyer një përgjigje që elaboratit i mungojnë edhe disa elemente që i ka renditë dhe atë shkresë me protokoll të Agjencionit Kadastral e kemi proceduar në Komunë, për me plotësuar konform elementeve që i ka cek Agjencioni Kadastral’’, tha ai.

I pyetur se pas marrjes së vendimit të qeverisë për shfuqizimin e themelimit të zonës ekonomike në Malishevë, kush ka qenë ministër, i njëjti u përgjigj se ishte ministri Vesel Krasniqi.

Dëshmitari Buzhula tregoi se nga ministri Krasniqi i ishte kërkuar të përpilojë një ‘arsyeshmëri’ për të anuluar vendimin që e ka shfuqizuar procesin paraprak.

“Ka qenë kërkesë me bo një arsyeshmëri për me e shfuqizu vendimin që e ka shfuqizuar procesin paraprak, më ka ardhë një kërkesë nga kabineti, me një varg korrespodencash”, tha fillimisht ai.

Më pas, ai theksoi i kishte kthyer një mendim ministrit në atë kohë dhe këshilltarit ligjor se nuk është kompetencë të agjencionit Kiesa që të merret me vendime të shpronësimeve.

Dëshmitari tha se më pas ishte ftuar në një takim nga ministri Vesel Krasniqi ku i ishte kërkuar edhe njëherë që përgjigjen e dhënë më lartë ta rikonfirmojë me shkrim, gjë që ai sipas tij, e kishte bërë.

Ai po ashtu tha se i qëndron prapa dëshmive të tij të dhëna në polici më 4 dhjetor 2019 dhe 10 nëntor 2020.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 27 prill 2022, me vazhdimin e marrjes në pyetje të dëshmitarit Buzhala nga ana e mbrojtjes.

Në seancën e 21 shkurtit 2022, tetë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qira pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.  /Betimipër Drejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.