26-11-2024

Gjykimi për rastin “Abi Çarshia“: Ja çfarë deklaroi ish-inspektorja

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka dhënë mbrojtjen e akuzuara Jetmire Vrenezi, ish inspektore e ndërtimit në Prizren, ku po akuzohet së bashku me pesë të tjerë lidhur me rrënimin e objekt aneksit shtesë të “Abi Çarshisë”, në Prizren.

Jetmire Vrenezi së bashku me Islam Thaqin, Egzonë Morina-Thaçin, Arian Tarakun, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqin, akuzohen për korrupsion në rastin e rrënimit të aneks objektit të “Abi Çarshisë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mbrojtjen e saj fillimisht Jetmire Vrenezi deklaroi se me profesion është inxhiniere e ndërtimit dhe si inspektore në Komunën e Prizrenit kishte filluar në prill 2019. Ajo shtoi se inspektori është përgjegjës për zonën në të cilën është caktuar nga Drejtori i Inspektoriateve ku brenda asaj zone inspektohen ndërtimet pa leje si dhe ato me leje.

Shtoi se në terrenin që ishte caktuar kishte inspektuar me dhjetëra objekte të tjera që kanë qenë në fazën e ndërtimit nga të cilat kishte përpiluar edhe procesverbale dhe vendime të tjera.

Shtoi se lëndën në fjalë kur e kishte marr nga ish-inspektorja e mëhershme e kishte gjetur në fazën- aktvendim për rrënim vullnetar, si dhe procesverbali i fundit që ishte marr ka qenë i datës 15.07.2019 ku është konstatuar që nuk kishte filluar rrënimi vullnetar prej 15 ditësh në atë objekt sipas afatit kohor të paraparë në vendim dhe urdhëri që inspektori në këtë rast që e ka përpiluar procesverbalin pason me nxjerrjen e konkluzionit për urdhër ekzekutim nga ana e Drejtorisë.

Shtoi se veprim tjetër përveç konkluzionit për rrënim nga ana e Drejtorisë nuk ka pasur dhe se për këtë konkluzion të nxjerrë nuk kishte pasur presion nga askush.

Vrenezi deklaroi se procesverbali i datës 15.07.2019 mban orën e inspektimit 11:20 ku urdhëri i inspektores ishte marrja e konkluzionit për urdhër ekzekutim nga ana e Drejtorisë dhe në orët e pasdites pasi që i ishte ndarë terreni asaj, ajo kishte nxjerrë konkluzionin për rrënim të prerë që mban edhe datën e njëjtë. Tutje ajo deklaroi se mos nxjerrja e këtij konkluzioni sipas mendimit të saj do ta qonte përpara përgjegjësisë penale.

Vrenezi deklaroi se nuk parashihen afate për nxjerrjen e këtyre konkluzioneve, mirëpo shtoi se posa kthehen në zyre e përpilojnë të njëjtin dhe se tha se nuk është në kompetencë të saj dhe të Drejtorisë së Inspektoriateve të merret me trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe me legalizimet dhe se nuk është obligim i saj që ta di ligjin  për legalizim apo afatet kohore.

Në fund Vrenezi deklaroi se kur ka ardhur në punë në Komunën e Prizrenit nuk e ka ditur se ekziston një vendim i MMPH-së lidhur me objektin e “Abi Çarshisë”, shtoi se ai vendim ka mundur të jetë në dosje, por që për shkak se lënda ka qënë voluminoze nuk e ka hasur një vendim të tillë.

Tutje ajo shtoi se këtë vendim e ka parë më vonë i cili kishte të bënte me ndalim të një vendimi të vitit 2018, por ai vendim nuk e ka ndaluar Drejtorinë e Inspektoriateve që të veprojë nëse investitori vazhdon me veprime të kundërligjshme.

Në fund tha se çdo vendim që e ka ndërmarrë në kohën sa ka qenë në Drejtorinë e Inspektoriateve e ka bazuar në dispozita ligjore.

Gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarës tjetër, Egzona Morina Thaçi, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca do të vazhdojë më 04 mars 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.