Gjykimi për ryshfet në Prizren: Rojet e pyllit kërkojnë pafajësi, prokuroria dënimin e tyre
Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që dy rojet e pyllit që akuzohet për marrje të ryshfetit, Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Një propozim të tillë e ka dhënë prokurori Mehdi Sefa, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Trolli dhe Bajraktari, akuzohen se në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.
Prokurori Sefa, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Skender Çoçaj, që gjatë marrjes së vendimit të ketë parasysh të gjitha provat dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë këtij gjykimi, të cilët sipas tij, e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve Trolli dhe Bajraktari.
“Mbetemi në tërësi pranë aktakuzës ndaj dy të akuzuarve Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, për veprën penale si në dispozitiv të akuzës. Meqë gjatë shqyrtimit kryesor, pas administrimit të provave, dëgjimit të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit Fehmi Qatani, dëshmitarëve Gjafer Shukolli dhe Artan Qatani, si dhe leximit të provave materiale, me të gjitha këto prova, në tërësi është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës”, ka deklaruar prokurori Sefa.
Ai ka thënë se është evidente se këtu të akuzuarit Trolli dhe Bajraktari, kanë kërkuar të holla nga i dëmtuari Fehmi Qatani, me qëllim që ndaj tij të mos shqiptohet fletëparaqitje.
“Avdi Trolli, në momentin kur e ka hasur duke prerë drunj të dëmtuarin Qatani, ai nuk e ka përpiluar menjëherë fletëparaqitjen ndaj tij, mirëpo ka kërkuar që ai të vjen në restaurant “Giri”, pasi që për këtë ka pas nevojë të konsultohet edhe me kolegët e tij, Nuhi Bajraktari, ku prezent ka qenë edhe rojtari tjetër Bashkim Gashi, dhe pas një kohe është vërtetuar se nga restorani ka dal Nuhi Bajraktari dhe në mënyrë të hapur ka kërkuar të holla, fillimisht Fehmi Qatani i ka ofruar 45 euro, por Nuhi Bajraktari, nuk e ka pranuar atë shumë, dhe të dëmtuarit i ka dhënë afat 30 minuta për të sjellë para shtesë”, ka thënë prokurori.
Ai ka thënë se sipas deklaratës së të dëmtuarit Qatani, është vërtetuar se i akuzuari Bajraktari i ka pranuar 100 euro, ku në shoqëri me të ka qenë edhe i akuzuari Trolli.
“Nga këto veprime shihet se dy të akuzuarit, kanë qenë në lidhmëri dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, dhe se me veprimet e tyre formohen elementet e kësaj vepre penale, kështu që i propozojmë trupit gjykues që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë prokurori Sefa.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Avdi Trollit, avokatja Sabrije Syla, gjykatës fjalën përfundimtare ia ka parashtruar në formë të shkruar, e gjatë elaborimit të së njëjtës, ajo ka thënë se i kundërshton pohimet e organit të akuzës, pasi që sipas saj, i akuzuari Trolli nuk e ka kryer një vepër të tillë për të cilën ngarkohet.
“Bazuar në të gjitha provat e administruara në këtë gjykim, rezulton fakti se me asnjë provë nuk u vërtetua fajësia e klientit tim, si dhe nga gjykata kërkoj aktgjykim lirues”, ka thënë avokatja e të akuzuarit Avdi Trolli.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër Nuhi Bajraktari, i cili në këtë gjykim nuk ka pasur të angazhuar mbrojtës, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se i kundërshton pohimet e prokurorit të rastit, pasi që sipas tij, nuk ka bazë ligjore që e ngarkon atë me këtë vepër penale.
“Të gjitha ato që i tha prokurori në fjalën e tij përfundimtare i kundërshtoj, pasi që nuk ka bazë ligjore për të cilën jam akuzuar, pika e parë prokurori e përmendi restaurant “Giri”, i cili restaurant nuk punon fare, dhe as që kemi qenë aty, e dyta është se unë me Avdi Trollin, nuk punojmë në të njëjtën zonë”, ka thënë i akuzuari Bajraktari.
Ai ka shtuar se në ditën kritike nuk ka qenë së bashku me të akuzuarin Avdi Trolli, pasi që sipas tij, edhe fletëparaqitja ndaj të dëmtuarit Fehmi Qatani, tregon se ai nuk figuron fare si dëshmitar.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Skender Qoqaj, e ka shpallur të përfunduar këtë gjykim, duke thënë se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 6 shkurt 2019, prej orës 13:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.
Sipas aktit akuzues, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Duhles, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtë për drejtë kërkojnë para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se deri sa i akuzuari Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Caralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motor sharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri” në “Qafë të Duhlës”, pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë. Tutje, në aktakuzë thuhet se përball restorantit i afrohet i akuzuari Bajraktari, duke i thënë “nëse ka para për ti dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do ia falin”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ia jep 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Trolli i cili ishte në automjet, ku ky i fundit e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në gjykatë.