20-11-2019

Gjykimi për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, ridëgjohet eksperti i balistikës

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Blerim Maloku, por ai në seancën fillestare të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari për vrasje të rëndë, Besim Maloku, ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo është hera e dytë që eksperti Kukaj po paraqitet para gjykatës, kjo pasi që shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 9 shtator 2019, por ky gjykim është rihapur nga trupi gjykues, me arsyetimin se duhen sqarime shtesë lidhur me ekspertizat e balistikës dhe asaj mjekoligjore.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, se a kanë përshtatshmëri gëzhojat e gjetura me armët e të pandehurit, eksperti tha se përpos dhjetë gëzhojave që kanë të njëjtin kalibër me pushkë, të tjerat nuk përshtaten.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori Ramiz Buzhala se a mund të dihet koha e përdorimit të pistoletës, eksperti tha se nuk mund të vërtetohet koha e qitjes.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e përgjimeve të bisedave në mes të dy akuzuarve, të cilat ishin bërë në fazën e hetimeve, përmes aplikimit të masave të fshehta.

Shumicën e kohës sa kanë zgjatur bisedat në mes të pandehurve, kryesisht janë dëgjuar biseda të rëndomta në mes tyre.

Ndërkohë, eksperti Ilir Kukaj, ishte dëgjuar edhe në seancën që ishte mbajtur më 11 mars 2019.

Ai kishte deklaruar se dy gëzhojat e ekzaminuara nuk kanë rezultuar se janë shkrepur nga të dy armët që kanë qenë objekt ekspertimi në këtë rast.

Prokurori Ramiz Buzhala, kishte kërkuar nga ai se në gëzhojat e ekzaminuara a është vërtetuar që janë shkrepur nga armët që janë objekt i ekzaminimit.

“Asnjëra prej gëzhojave dhe predhave objekt ekspertimi nuk rezulton se janë shkrepur nga dy armët objekt ekspertimi dhe të njëjtat janë mbajtur në datotekën e rasteve të hapura dhe deri sot nuk është identifikuar arma me të cilën janë shkrepur”, ishte përgjigjur eksperti Kukaj.

Besim Maloku foto (1)

Ai kishte folur edhe për konstatimet që i ka nxjerr në ekspertizën e tij.

“Në fund të ekspertimit kriminalistik janë nxjerr konkludime ose konstatime se pushka e gjuetisë artizanale ka qenë funksionale, një gëzhojë pjesë e fishekut kalibrit 12x 108 mm nuk ka pasur karakteristika për ekzaminim dhe indetizimin pozitiv. Pistoleta “Ecol tuna” ka qenë e konvertuar nga armë e gazit në armë zjarri dhe e njëjta ka qenë funksionale”, kishte deklaruar eksperti Kukaj.

Ndryshe, seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 23 tetor, në ora 10:00, ku pritet të dëgjohet eksperti mjekoligjor.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku kanë ikur nga vendi ngjarjes.

Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179 par.1 nënpar.1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës” nga neni 374 par.1 i KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Blerim Maloku, akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.