24-09-2021

Gjykimi për vrasjen në Suharekë: Dëshmitari thotë se viktima kishte sharë, pastaj i akuzuari e kishte qëlluar me plumba

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dëshmuar dëshmitari Liman Aliu për vrasjen e Shaip Krasniqit nga Sylejman Ahmeti vitin e kaluar, për shkak të një borxhi prej 20 euro që vëllai i të ndjerit ia kishte Ahmetit.

Ai deklaroi se ngjarja filloi në lokalin e tij ‘Toni’ në Suharekë ku viktima e kishte sharë të akuzuarin, e ky i fundit e ndoqi jashtë tij dhe e vrau me disa plumba me armë.

Dëshmitari Liman Aliu tha se në natën kritike, në lokalin e tij kishin qenë edhe i akuzuari edhe viktima, ku edhe kishte filluar mosmarrëveshja.

Mund të jetë një imazh i teksti

Ai tha se fillimisht në lokal erdhi Shaip Krasniqi, të cilit i kishte shërbyer ujë dhe vezë të ziera dhe pastaj ai kishte biseduar me një shok me qëllim që të shkojnë për vizitë te disa këngëtarë.

Më vonë, në lokal kishte ardhur Sylejman Ahmeti, i cili ishte përshëndetur me të, me Shaip Krasniqin dhe shokun e tij dhe se kur ishte afruar Ahmeti në tavolinën e tyre, Krasniqi i ishte drejtuar me fjalët “largohu, a e di se kë e keni sharë”.

Dëshmitari Aliu tha se Shaip Krasniqi kishte sharë Sylejman Ahmetin.

“Aty unë e kam kapur dhe e kam larguar prej lokalit ku e kam dërguar te automjeti i tij”, u shpreh dëshmitari për viktimën Krasniqi.

Tutje ai tha se gjersa ishte duke u kthyer në lokal, e kishte parë Sylejman Ahmetin duke u ngritur prej tavolinës dhe duke vrapuar për në drejtim të veturës së tij, me këtë rast ai kishte vrapuar për ta ndalë.

Dëshmitari tha se fillimisht Sylejman Ahmeti kishte shtënë tre herë në ajër dhe pastaj ka shtënë edhe një herë dhe kur ishte afruar te vendi, kishte parë Shaip Krasniqin të shtrirë, pas kësaj i akuzuari Ahmeti i ishte afruar tashmë të ndjerit Shaip Krasniqit duke e goditur përsëri me armë disa herë dhe e ka sharë me fjalët “ta marroftë Zoti xhenazen”, e pastaj përsëri e ka gjuajtur me armë në kokë e në fund i është drejtuar me fjalët  “qu t’i q…. shtatë mijë nana”.

Në fund dëshmitari Aliu tha se i akuzuari Ahmeti pas kësaj kishte hyrë në veturën e tij dhe është afruar tek ai duke i thënë “thirreni policinë dhe bishtin e sëpatës mos ia hiqni prej aty”.

Dëshmitari deklaroi se në natën kritike nuk kishte pasur asnjë sulm fizik dhe se të dy edhe Sylejman Ahmetin edhe Shaip Krasniqin i kishte njohur dhe se nuk kishin pasur asnjë problem mes vete.

Pas kësaj dëshmie, seanca e sotme përfundoi dhe e radhës do të vazhdojë nesër, ku do të dëgjohet dëshmitari tjetër, Agron Aliu.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, më 26 janar 2020 në kafenenë  “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Shaip Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqit dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Shaip, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Vepra penale “vrasja e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Ndërsa, vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.