Gjyqi kundër Darko Tasiqit, dëshmitarët tregojnë si u dogjën e u hodhën në Drin banorët e Krushës
Serbi Darko Tasiq, në marsin e 1999 në Krushë të Prizrenit, akuzohet se ka marrë pjesë në djegien e kufomave dhe hedhjen e tyre në lumin Drin. Ai akuzohet edhe për shkatërrim të qëllimshëm të pronës e konfiskimit të pasurisë së një familjeje të Krushës. Gjyqi ndaj tij, sot në Gjykatën Themelore të Prizrenit u zhvillua me dëgjimin e dy dëshmitarëve, Drita Batusha dhe Shaban Adbyli.
Në muajin mars të 1999, qindra shqiptarë civil u vranë në Krushë të Vogël, në mesin e tyre supozohet se kishte edhe fëmijë e persona të moshuar.
Darko Tasiq, i arrestuar në vitin 2017 në kufirin Kosovë – Serbi, në Bërnjak, po akuzohet se ka marrë pjesë në djegien e kufomave dhe hedhjen e tyre në lumin Drin në kohën kur kishin filluar në Kosovë bombardimet e NATO’s. Gjithashtu, akuzohet se në cilësinë e anëtarit të forcave paraushtarake jugosllave, bashkë me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në konfiskimin e pasurisë. Plaçkitje dhe shkatërrim të qëllimshëm të pronës, marrjen e automjeteve, makinerive bujqësore dhe sendeve të tjera të vlefshme që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe disa fshatarëve të tjerë të Krushës së Vogël.
Gazeta Express ka përcjellë shqyrtimin gjyqësor të së enjtes ku u dëgjuan dy dëshmitarë të ngjarjeve që Tasiq akuzohet t’i ketë kryer në periudhën 24 deri 27 mars të vitit 1999.
Dëshmitarja Drita Batusha, 52 vjeçare nga Krusha e Vogël ka treguar se më datën 25 mars të 99’, forcat serbe kanë hyrë në shtëpinë e saj, ku ajo qëndronte me familje në Krushë të Vogël.
Ajo tha se personat të cilët kishin hyrë në shtëpinë e saj me dhunë, kanë qenë me uniform e veshje ushtarake serbe.
“Në ora 12:00 me 25 mars kena dalë nga shtëpia edhe kemi shku te vneshti i Din Shehut. Aty ka qenë livadh. I gjithë fshati kemi shku atje”, tha ajo.
Te vneshta e Din Shehut, Batusha tha se pjesëtarët serbë kanë shtënë me snajper dhe djalit të Dervish Shehut, Liridon Shehut, plumbi I ka kaluar afër kokës.
“Jemi shtri të gjithë në tokë, sepse ata na gjujshin”.
Të nesërmen, kur janë zgjuar në mëngjes, dëshmitarja Batusha tha se shtëpitë e Milaim Batushës, Zajm Batushës, Ahmet Batushës dhe Rasim Batushës ishin të mbushura me ushtarë serbë, të veshur me uniforma të ushtrisë.
Aty, sipas saj, një serb ka dalë me altoparlant dhe ka bërtitur që gratë, burrat dhe fëmijët duhet të ndahen.
Me t’u larguar nga shtëpia, dëshmitarja tha se u nisën për të shtëpia e Asllan Batushës. Atje, Vezire Batushës, personi me emrin Bora Nikolic, ia ka marrë djemtë e moshës 15 dhe 13 vjeçar nga dora. Burim Batusha 15 vjeçar dhe Lirim Batusha 13 vjeçar u morën me forcë nga duart e nënës së tyre, Vezirës, tha dëshmitarja.
Dëshmitarja përmend edhe një person të quajtur Dimitri Nikolic, për të cilin thotë se ishte i veshur me uniformë serbe, por ka pasur edhe kallashnikov. Ajo tregon se një zonjë tjetër, e quajtur Hanumshahe Batusha, i ka thënë Dimitrit “oo këqyrini djemtë bre, mos t’i vrasin këta djem”. E Dimitri, sipas dëshmisë është përgjigjur “bëni çka të doni, se e keni lypë”.
Në ato momente, dëshmitarja mban mend kur një person tjetër i quajtur Sveta Nikolic, ia ka vendosë kallashnikovin në fyt Sadije Batushës, një zonjë tjetër që ishte aty, dhe i ka thënë “Gde je NATO”.
Pas kësaj ngjarjeje, ajo tha se kanë shkuar tek shtëpia e Bajram Batushës, dhe Litafete Batushës, serbi i quajtur Bora Nikolic, ia ka marrë nga duart dy nipa, të cilët ishin djemtë e Nexhmie Batushës.
Më vonë, në një zonë tjerët, dëshmitarja tha se i kishte parë ushtrinë e Arkanit, të cilët thotë se ishin me fytyra të ngjyrosura dhe e kishin nga një shami të kuqe të lidhur në kokë.
“E kam ditë që është ushtria e Arkanit, se i kam pa në televizor për ato që i kanë bërë në Bosnje, njëjtë kanë vepru edhe te na”, tha dëshmitarja.
Ajo tha se secili ushtar i Arkanit e ka pasur nga një çantë. Në xhepa tha se kanë pasur thika, kaçavida e shiringa.
Një përjetim të ngjashëm e kishte pasur në ditët e njëjta edhe dëshmitari Shaban Abdyli, i cili dëshmoi sot para gjykatës për të njëjtën çështje.
Në datë 25 mars ose 26 mars, dëshmitari tha se i kanë shkuar tre policë së shtëpi. Aty, Abdyli ka qëndruar me familje.
“Kanë hi policia, kanë gjujtë në shtëpi mrena në dhomë. Kanë bërtit fëmijët edhe gratë. Bashkë me axhën i kemi çuar duart naltë edhe e kemi nxjerrë nga një shami të bardhë. Ata kanë fillu me na goditë, mu edhe Haxhinë (xhaxhain)”, tha dëshmitari Shaban Abdyli.
“I kanë gjuajt qentë dhe lopët. Pastaj na kanë plaçkitë, na kanë lypë parë edhe dukat”, tha ai.
Ai e kishte një kuletë në xhep, me disa dinarë dhe marka. Abdyli tha se policët e kishin kapur atë për flokë dhe kuletën e tij kishin tentuar t’ia fusnin në gojë.
Duke dalë të gjallë nga e tërë kjo ngjarje, pasi edhe policët ia dogjën shtëpinë, u larguan me gra dhe fëmijë dhe morën rrugë për tek Tyrbja e fshatit, tregoi dëshmitari.
Tyrbja e fshatit
Më shumë se 100 gra kishin marrë rrugën për tek Tyrbja e fshatit. Aty, këto gra e kishin parë një varr masiv të hapur. Të urdhëruara nga forcat serbe që të qëndrojnë aty, dëshmitarja Drita Batusha rrëfeu se e kishte parë Darko Tasiqin të veshur me tesha të policisë dhe tre persona të tjerë për të cilët tha se nuk i ka njohur.
Që të tre këta, përfshirë edhe të akuzuarin Tasiq, dëshmitarja tha se i kishin duart me gjak.
“Darko Tasiq i ka pas duart me gjak, por edhe këta tjerët i kanë pas duart me gjak. Darko na ka thanë ‘çka po ju duhet jeta me jetu pa burra. Burrat ua kemi vra edhe ju s’keni çka jetoni më’”, tha dëshmitarja.
E dëshmitari i dytë, Shaban Abdyli tha se kur kanë arritur tek Tyrbja, aty ku u xhaxhai i tij Haxhia dhe ai u rrahën nga serbët.
“Te Tyrbja na kanë nalë, na kanë zbritë mua dhe Haxhinë nga traktori edhe na kanë rreh, na kanë shtri përtokë. Gratë i kanë maltretuar psiqikisht, t’u i shajtë e t’u i ofendu”, tha dëshmitari.
Pasi arritën të largohen nga Tyrbja, dëshmitari tha se u nisën për një rrugë tjetër. Kur arritën tek oborri i Din Shehut, dëshmitari tha se i ka pasë disa policë serbë duke i rrjepur disa qengja dhe dhentë.
Prej aty, dëshmitari tregoi se morën rrugë për në Prizren. Gjatë rrugës, kanë parë një tanke të ushtrisë serbe.
Kufomat në lumin Dri
Derisa Krusha e Vogël ishte e rrethuar dhe e mbushur me autoblinda dhe tanke serbe, dëshmitarja Batusha tha se janë nisur drejtë lumit Drini.
Më datat 26 dhe 27 mars të vitit 1999, Drita Batusha bashkë me personat e tjerë që kishin ikur nga shtëpitë e tyre, ishin strehuar në fshatin Qallak, ku kanë qëndruar 1 javë.
Më 27 mars, dëshmitarja tha se ka shkuar të daja i saj, Ali Emrullahu, i cili jetonte në atë fshat.
“Kur kam shku te daja, gratë aty më thanë që daja nuk është aty, ka dalë prej shpisë, edhe ka shku me këqyr me dylbi. Unë kam shku te daja. Ai ishte diku 100 metra larg lumit Drin.
Në atë zonë, dëshmitarja tha se përmes dylbive e ka parë Darko Tasiqin duke shkuar drejt kamionit që ishte i mbushur me kufoma.
“Darko e ka shtyrë kamionin në ujë, por vetëm koka e kamionit mbeti në ujë kurse pjesa tjetër jashtë”, tha ajo.
Ata më pas, morën një kovë të mbushur me naftë ose me benzinë, tha dëshmitarja, dhe ua hodhën trupave që ishin në rimorkion e kamionit.
“Aty kanë qenë edhe katër persona të tjerë. Aty ka qenë edhe babai i Darkos, Sreqko Tasiq. E Darko bashkë me Svetën kanë gjujtë me kallash edhe i kanë kallë kufomat në kamion”, dëshmoi Batusha.
Rrëfim për ngjarjen që ndodhi në lumin Drini, pati edhe dëshmitari Shaban Abdyli.
Derisa Krusha po digjej, dëshmitari tha se të lumi Drini, kishin parë një kamion ngjyrë të portokalltë dhe një kombi duke shkuar aty.
“Kanë zbrit policë me uniformë. Aty ka qenë edhe Darko Tasiq, Sava Nikolic edhe Sveta Tasiq. Këta kanë zbrit prej kamionit dhe janë mundu me e futë atë në lumin Dri”, tha dëshmitari.
Nga ai kombi me të cilin dëshmitari i parë këta persona duke u afruar, tha se kishin nxjerrë kufoma dhe i kishin futur në atë kamion, para se ta fusnin në lum.
“Kryet e kamionit ka mbetë në ujë. Edhe aty kanë nis me gjujtë diçka të bardhë mbi trupat. E kanë kallë kamionin bashkë me kufoma brenda” tha ai.
Por, atë që e kishte dëgjuar Shaban Abdyli, nuk e kishte dëgjuar edhe dëshmitarja Drita Batusha po në atë zonë, ku kamioni ishte duke i djegur.
Shabani tha se gjatë djegies së kamionit ka dëgjuar bërtima të njerëzve. Por Drita Batusha, pasi tha se ishte 100 apo 200 metra larg këtij kamioni të mbushur me kufoma, deklaroi se nuk ka dëgjuar asgjë, as edhe një bërtimë.
Drita Batusha, ishte e bindur se bashkëshortin e saj, vjehrrin e saj, xhaxhain e saj me tre djemtë, dhe pesë nipat e tyre, u vranë atë ditë tek Tyrbja e fshatit dhe trupat e tyre më pas u dogjën në kamionin e hedhur në lumin Drin, ku pjesëmarrës ishte edhe i akuzuari Darko Tasiq.
Nga familja e saj, nga gjaku, ajo tha se janë gjithsej 12 persona të vrarë. Kurse, në të gjithë Krushën e Vogël janë gjithsej 113 burra të vrarë.
Pas marrjes në pyetje nga ana e Prokurores së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, dëshmitarja u mor në pyetje edhe nga avokati i të akuzuarit.
Avokati i të akuzuarit, e ballafaqoi dëshmitaren me dëshmitë e saj të mëhershme që i kishte dhënë në vitin 2012 dhe 2013 pranë prokurorëve të EULEX’it, të cilët e kishin fillimisht këtë çështje penale.
Sipas deklaratave të saj të mëhershme, avokati tha se asnjëherë dëshmitarja nuk e ka përmendur emrin e Darko Tasiqit si të përfshirë në tërë këtë ngjarje.
“Darko Tasiqin nuk e keni përmendur fare në asnjë deklaratë të dhënë të mëhershme”, tha avokati mbrojtës.
Ndërsa, dëshmitarja tha se njërën nga dëshmitë nuk ka mundur ta japë të plotë pasi gjatë dhënies së dëshmisë ishte ndalë rryma dhe u detyruan ta ndërpresin intervistimin. Kurse, për deklaratën tjetër të dhënë, ajo tha se nuk e di pse nuk e ka përmend më herët, por ajo u shpreh e sigurt që e ka parë Darkon me duart me gjak.
Pas përfundimit të dhënies së dëshmisë së dëshmitares së parë, u ftua dëshmitari i dytë, Shaban Abdyli, i cili gjithashtu është nga Krusha e Vogël.
Dëshmitari Shaban Abdyli tregoi se kur morën rrugën fillimisht për Prizren, ka arritur ta shohë Darko Tasiqin duke dalë nga shtëpia e Hajdarëve dhe gjërat që i kishte marrë nga ajo shtëpi i kishte futur në një traktor me rimorkio.
“Ka qenë me golldon (motokultivator). E ka pas jaknën ngjyrë kafe, kallashin e ka pas në krah. Në golldon ka pas frigoriferë, televizorë edhe sene të tjera”, dëshmoi ai.
Pas përfundimit të rrëfimit të tij, dëshmitari u ballafaqua me deklaratat e tij të dhëna në vitin 2012 dhe 2018. Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, kërkoi nga dëshmitari të tregojë për këto deklarata, pasi kishte ndryshme të mëdha me ato që kishte deklaruar vitet e mëhershme, me këto të ditës së sotme.
Pasi gjatë seancës, dëshmitari përmendi me emra personat që i ka parë tek lumi Drini, në dhënien e deklaratave të tij të mëhershme nuk i kishte përmendur.
“Nashta nuk mu ka kujtue atëherë, e di që i kam pa. Nashta nuk më ka pyet prokurori”, tha dëshmitari, duke qenë i sigurt se e ka parë Darko Tasiqin dhe të tjerët tek lumi Drin.
Krusha e Vogël ka pas më shumë se 100 viktima. Ndër ta, përpos 12 viktimat e familjes së Drita Batushës, ishin edhe familjarët e Shaban Abdylit; Djemtë e tij të xhaxhait dhe xhaxhai.
Prokuroria Speciale e Kosovës, e akuzon Darko Tasiq, se në cilësinë e një anëtari të forcave rezerviste të policisë ose forcave paraushtarake jugosllave, në bashkëkryerje me të tjerët identiteti i të cilëve nuk dihet, mori pjesë në konfiskimin e pasurisë, plaçkitje dhe shkatërrim i qëllimshëm i pronës e cila u justifikua nga objektivat ushtarake.
Krimet, që përfshinin djegien e shtëpive në fshat, u kryen midis 15 dhe 26 marsit 1999, sipas Prokurorisë.
Tasiq akuzohet gjithashtu për marrjen e automjeteve, makinerive bujqësore dhe seneve të tjera të vlefshme bujqësore dhe sendeve të tjera të vlefshme që i përkisnin një burri të quajtur Kasum Hajdari dhe fshatarëve të tjerë.
Tasiq akuzohet nga Prokuroria Speciale edhe për pjesëmarrje në djegien e kufomave të paidentifikuara dhe hedhjen e tyre në lumin Drin.
Tasiq, u arrestua në nëntor të vitit 2017, në kalimin kufitar të Bërnjakut midis Kosovës dhe Serbisë./M.Kokollari/GazetaExpress/