19-04-2024

Gjyqtarët e Prizrenit e zgjedhin gjykatësin Fidan Hoxha si kandidat për anëtar të KGJK-së

Gjykatësi Fidan Hoxha është zgjedhur nga kolegët e tij gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Prizren si kandidat për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Pasi që mori besimin e gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prizren, gjykatësi Hoxha do duhet të marr edhe besimin e gjyqtarëve në nivel vendi për t’u zgjedhur anëtar i KGJK-së nga radhët e gjyqësorit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në garë për dy pozita të anëtarëve të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore janë edhe gjyqtarët, Veton Ademaj, Arjeta Sadiku dhe Mirlinda Bytyqi-Rexhepi të cilat janë zgjedhur nga gjyqtarët e Pejës, Prishtinës dhe Ferizajt.

Së bashku edhe me kandidatët që do dalin nga zgjedhjet që do të mbahen nesër në Gjykatën Themelore në Gjakovë dhe në Gjilan, ata do të marrin pjesë në tubimin e përgjithshëm zgjedhor që do të mbahet më 21 qershor 2021.

Në këtë tubim, nga kandidatët që kanë marrë më së shumti vota nga gjykatat respektive, do të zgjedhën dy gjyqtarë të cilët do të përfaqësojnë shkallën e parë të gjyqësorit në KGJK.

Deri më tani, përfaqësues të gjykatave themelore në KGJK kishin qenë Anita Krasniqi-Prenaj dhe Skender Çoçaj, mandati i të cilëve skadon në fillim të muajit korrik 2021. Po ashtu, përfaqësues në KGJK nga gjykatat themelore është edhe gjyqtari Avni Mehmeti, gjykatës nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Në biografinë e publikuar në faqen e Gjykatës Themelore në Prizren thuhet se, Fidan Hoxha ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2012, ku vazhdon të ndjek studimet posdiplomike, ndërsa provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2015.

Sipas biografisë, praktikën profesionale e ka kryer nga viti 2012 deri në vitin 2013 në Gjykatën e Themelore në Prizren ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2014 ka punuar si jurist në kompaninë private ‘’Llapusha’’ në Prizren. Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka punuar si zyrtar ligjor në Prokurorinë Themelore në Prishtië ndërsa më 31 korrik 2017 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.