Gjyqtari amerikan thotë se ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen me kusht deri të fillojë gjykimi
Gjykatësi amerikan, Dean Pineles, e kupton shqetësimin që kanë kosovarët lidhur me funksionimin e Gjykatës Speciale.
Pineles thotë se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të mendojnë se kjo Gjykatë është e njëanshme, sepse në të po gjykohen vetëm ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo pala serbe.
Sipas tij, nga kjo situatë po synon të përfitoj shteti serb, sepse po tenton të krijoj një narrativë false për luftën e fundit në Kosovë.
“Fillimisht, duhet thënë se Gjykata në Hagë është e përbërë krejtësisht me ndërkombëtarë dhe nuk ka as edhe një kosovar aty, prandaj është normale që në Kosovë të shprehen të shqetësuar për ketë çështje. Problemi tjetër është se nga kjo Gjykatë po gjykohen vetëm ish-krerët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo pala tjetër e cila ka qenë e përfshirë në konflikt. Është e kuptueshme që njerëzit mendojnë se kjo Gjykatë është e njëanshme për mënyrën se si ka funksionuar. Në anën tjetër shoh që Serbia është shumë entuziaste për Gjykatën Speciale, sepse i ndihmon që të krijojnë narrativen e tyre për luftën e fundit në Kosovë. Një narrativë të rreme për mendimin tim”, u shpreh Pineles.
Ish-gjykatësi i misionit te EULEX-it në Kosovë, thotë se duhet të shqyrtohet kërkesa për lirimin me kusht te HashimThaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve të cilët mbahen qe më shumë se dy vjet në paraburgim.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët kanë më shumë se dy vjet që po mbahen ne paraburgim dhe tani pyetja shtrohet- Pse? Duhet të shqyrtohet seriozisht kërkesa e tyre për t’u liruar deri sa te filloj gjykimi për ta. Ata nuk mund të qëndrojnë aty duke mbledhur pluhur derisa të mblidhen të gjitha dëshmitë kundër tyre. Duhet të lirohen, por natyrisht nën mbikëqyrje të rreptë ku nuk mund të ndikojnë në punën e Gjykatës Speciale”, tha ai.
Megjithatë, Pineles mendon se për Kosovën do të ishte më e rëndë në rast se kjo Gjykatë do të formohej përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak të ndikimit që mund të kishin Kina dhe Rusia./Tëvë1