03-10-2024

Gruaja nga Shqipëria trafikoi në Kosovë rreth 10 vajza, shumica nga Kolumbia

Një aksion i Drejtorisë Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore  ka rezultuar me arrestimin e një gruaje të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Trafikim me njerëz’. E dyshuara u kap pasditen e së premtes në Prishtinë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.

Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për një shtetase të Shqipërisë, 30-vjeçare, e cila po dyshohet se ka trafikuar një numër të caktuar vajzash, të cilat i ka sjellë në Kosovë.

Bazuar në informacionet e para, bëhet fjalë për rreth 10 vajza, shumica prej tyre nga Kolumbia – të cilat janë identifikuar si viktima të këtij rasti.

Sipas informacioneve të para, viktimat janë të moshës nga 19 deri në 29 vjeçare.

E dyshuara është prangosur në kryeqytet dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa janë ndërmarrë veprimet e nevojshme edhe lidhur me viktimat.

Ndaj gruas së dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.”

Asnjë koment

Comments are closed.