Gucati nga OVL e UÇK’së i reagon Kurtit: Pranimin e testeve nga Serbia nuk do t’ua falë gjaku i dëshmorëve

Edhe kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, ka reaguar ndaj Qeverisë në detyrë, donacionin prej njëmijë testeve nga Serbia për COVID-19.

Gucati ka thënë se veprimi që ka bërë Qeveria nuk do të falet nga gjaku i dëshmorëve nga gjymtyrët tona të humbura.

Ai shprehet se ‘ata që pranuan një ndihmë të tillë le të mbesin të turpëruar’.

“Ne asnjëherë nuk ishim në atë gjendje qe të shtrijmë duart drejt tyre, nuk iu falet një gjë e tillë nga gjaku i dëshmorëve nga gjymtyrët tona të humbura, nga nënat dhe motrat tona që kanë përjetuar tmerr nga po të njëjtit që sot shtiren kinse human ndaj nesh, ne presim që ta na i sjellin të gjithë të pagjeturit nga lufta, nuk presim dhe nuk pranojmë asnjë lloj ndihme, ata që pranuan një ndihmë të tillë le të mbesin të turpëruar!”, ka shkruar Gucati.

Vazhdimisht gjatë ditës kishte reagime të ngjajshme, si ai i Daut Haradinajt, i cili tha se ndihma të tilla nuk do të pranonte edhe sikur t’ia ngjallnin vëllezërit e rënë për liri.