‘Gylenistët’ në gjyq me Komunën e Mytaher Haskukës
Kjo e fundit e ka paditur Komunën e Prizrenit me arsyetimin se po e pengon në shfrytëzim dhe posedim të lirë pronën që e ka shfrytëzuar deri tash.
Në këtë seancë u lexuan dhe u administruan provat e propozuara nga përfaqësuesi i çerdhes “Yllka”, avokat Urim Vokshi.
Ndërsa përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokat Blerim Mazreku, gjatë seancës deklaroi se për Komunën e Prizrenit kjo kontratë është e shkëputur dhe se paditësi në mënyrë të jashtëligjshme ka në posedim objektin kontestues.
Ndërsa sa i përket pretendimeve të paditësit – çerdhes “Yllka”, avokati Mazreku tha se as në ditën në të cilën pretendojnë se është kryer pengim-posedimi e deri më sot asnjëherë Komuna e Prizrenit nuk e ka penguar atë.
Avokati i propozoi Gjykatës dëgjimin e dy dëshmitarëve që ndërlidhen me rastin, Arben Krasniqi, në atë kohë në cilësinë e inspektorit komunal dhe Krenare Koqi, e cila bën pjesë në kabinetin e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.
Gjyqtari Atdhe Berisha e aprovoi propozimin e përfaqësuesit të Komunës dhe e caktoi datën 27 nëntor si datë për seancën e ardhshme ku do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë tjerë sipas propozimit të avokatit Urim Vokshi.
Ndërsa përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokat Blerim Mazreku lidhur me këtë kontest për KALLXO.com ka deklaruar se Komuna do të largojë paditësen “Pedaks” Sh.P.K, nga kopshti “Yllka”, nëpërmjet rrugëve gjyqësore, “pasi që paditësi e shfrytëzon kopshtin dhe hapësirën pa kontratë të ligjshme”.
Ndërsa lidhur me padinë për pengim posedim, avokati tha se Komuna e Prizrenit nuk e ka penguar dhe as nuk do ta pengojë deri në përfundim të kontestit për lirimin e pronësisë.
Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë kontest ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe përfaqësuesve të çerdhes “Yllka”.