18-05-2024

Droga: Bie konsumimi i heroinës, rritet ai i marihuanës në Kosovë

Numri i konsumuesve si dhe qarkullimi i rasteve të heroinës në përgjithësi ka shënuar rënie të dukshme në Kosovë, derisa janë në rritje rastet e konsumuesve të marihuanës. Në bazë të statistikave të policisë vetëm 10 % e drogës që hyn nga vendet tjera është e destinuar për konsumin vendor, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Këtë e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, duke treguar se sipas rasteve të regjistruara në polici, mosha tek të cilat më së shumti frekuenton droga është 21 deri në 35 vjet.

Referuar statistikave të policisë, del se gjatë këtij viti, ka më të tepër heroinë të konfiskuar dhe më pak marihuanë. Krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit paraprak, kur janë konfiskuar 30.84 gram heroinë, në të njëjtën periudhë të këtij viti janë konfiskuar 42.16 g apo  37 %  më shumë.

Derisa për heroinën raportohet me gram të konfiskuara, për marihuanën kjo bëhet me kilogram. Në tetë muajt e parë të këtij viti janë konfiskuar mbi 536 kg ose 43 apo 7.4 %  më pak se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sa i përket kokainës, sivjet janë konfiskuar 663 gram apo 137 gramë ose 26 % më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rezultate imazhesh për droga heroina shqip

“Kultivimi nuk është shumë i theksuar në Kosovë. Mbjellja bëhet kryesisht nga përdoruesit për përdorim personal në sasi të vogla, me ndonjë rast ku është tentuar të kultivohet në sasi më të madhe,  por ekzistojnë edhe vende ku kanabisi mbin vetvetiu (bimë të egra), vende të cilat policia i ka identifikuar dhe bimët janë shkatërruar në fazën e hershme” thuhet në përgjigjen dërguar portalit “GazetaePrizrenit.net” nga ZI e Policisë së Kosovës.

Sipas saj, nga droga e cila hyn nga vendet tjera, në bazë të statistikave rreth 10 % është e destinuar për konsumim vendor, ndërsa rreth 90% për tregun e jashtëm.

Sa i përket të arrestuarve gjatë periudhës së lartcekur, del se sivjet janë arrestuar 1.392  persona apo 569 më shumë së vitin e kaluar, që shprehur në përqindje i bie 69 % më shumë.

Policia e Kosovës thotë se është angazhuar si në fushën e parandalimit ashtu edhe në fushën operative-hetimore (luftimit) të kësaj dukurie. Në fushën e parandalimit ka hartuar Urdhrin Operativ “Stop drogës në shkolla” me ç‘rast janë realizuar aktivitete për parandalimin dhe luftimin e dukurisë së drogës në shkolla dhe rreth tyre, janë realizuar kontakte me prindër, takime me ekipet për siguri, forume rinore, plane operative në pikat kufitare dhe në Vijën e Gjelbër dhe aktivitete të tjera në bashkëpunim me organizatat relevante qeveritare dhe OJQ.

Për parandalimin e kultivimit policia thotë se ka bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë kontekst më parë ajo ka realizuar patrullime me helikopter në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, kontrollin e lokacioneve të dyshuara me dron, dhe shkëmbim të informatave në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët./GazetaePrizrenit.net

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.