16-11-2026

Një shqiptar me 7 identitete bie në prangat e policisë gjermane

Policia Federale në Aachen të Gjermanisë ka vënë në pranga një 31-vjeçar shqiptar dhe një 29-vjeçare bullgare, të dyshuar për vjedhje, mirëpo prapavija kriminale e shqiptarit ka befasuar edhe vetë autoritetet gjermane.

Siç raportojnë mediat gjermane, rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 11:00 të paradites në një farmaci brenda stacionit kryesor të trenit në Aachen, ku dyshja tentoi të vidhte produkte me vlerë rreth 28 euro. Ndërsa gruaja bullgare u kap në vendngjarje, burri shqiptar arriti të largohej pak para se të mbërrinte patrulla.

Pas një kontrolli të shpejtë në zonë, policia e pikas atë në një garazh parkimi aty pranë. Në momentin që pa uniformat blu, 31-vjeçari ia mbathi me vrap brenda ndërtesës, por u zu në një kat të ndërmjetëm, ku pranë tij u gjetën të hedhura në tokë edhe mallrat e vjedhura.


Gjatë tentativës për ta shoqëruar në stacion, ai ka rezistuar ashpër me forcë fizike, çka detyroi zyrtarët policorë ta shtrijnë përtokë dhe ta prangosin.

Dosje e rëndë kriminale dhe ndalim hyrjeje


Pas verifikimeve në stacionin policor, u zbulua se shqiptari përdorte plot shtatë identitete të ndryshme dhe ndaj tij kishte dhjetë hetime aktive nga Prokuroria Publike e Bremenit, për vepra të rënda penale si vjedhje, grabitje, kërcënime, sulm të rënduar dhe sulm seksual.

Për më tepër, ai rezultoi se ishte dëbuar nga Gjermania qysh në vitin 2023 dhe kishte ndalim hyrjeje pesëvjeçar në këtë shtet.

 

Gjatë kontrollit të imtësishëm, policia i gjeti edhe një thikë në çantën e belit, duke bërë që akuza ndaj tij të rëndohet edhe për “vjedhje me armë”. 31-vjeçari është dërguar menjëherë në paraburgim, ndërsa gruaja bullgare është liruar në procedurë të rregullt pas inicimit të rastit.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.