21-11-2024

Hapet aplikimi për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se pas pilotimit me sukses gjatë vitit të kaluar ku përfituan mbi 61 mijë familje nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, kanë rihapur aplikimin për programin 2024/2025.

Njoftimi i plotë:

Hapet aplikimi për Programin e Subvencionimit të Energjisë Elektrike për Konsumatorët e Cënueshëm

Pas pilotimit me sukses gjatë vitit të kaluar ku përfituan mbi 61 mijë familje nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, kemi rihapur aplikimin për programin 2024/2025.

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në Kosovë, dhe që plotësojnë kushtet si vijon:

– Kanë të ardhura* mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar. Pra një familje 4 anëtarëshe duhet të ketë më pak se 600 euro të ardhura mujore, dhe

– Kanë në pronësi më pak se 100,000 euro vlerë të paluajtshmërive.

Për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri mars 2025.

Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj.

Aplikimi mund të bëhet në eKosova, tek shërbimi “Grante dhe subvencione”, dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit.

Në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas fundit të muajit, mund të përfitojnë vetëm nga muaji pasues e tutje.

* në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensioni për aftësitë e kufizuara (verbër, para/tetraplegjikë), pensioni për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, pensioni për viktimat civile të luftës, pensioni për invaliditet në punë, dhe të ardhurat nga skema e asistencës sociale.

Asnjë koment

Comments are closed.