Haradinaj: Do ta ndalim “Dodik Republikën” e Rusisë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për unitet dhe vigjilencë, duke thënë Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në rajon, përmes krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai këto komente i bëri në një akademi përkujtimore kushtuar Betejës së Çabratit, në të cilën u flijuan dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.
I pari i ekzekutivit tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe njëherësh pamundëson shtrirjen e ndikimit dhe interesave të Rusisë në rajon, dhe se janë të përkushtuar që Serbia të mos arrijë në lumin Ibër përmes formimit të “Dodik Republikës”, duke iu referuar Republikës Serbe në Bosnje.
“Dodiku është problemi më i madh i rajonit, i cili mendon se me Putinin do t’i zgjidhë problemet në Ballkanin tonë. Ne do të jemi të vendosur sikurse kemi qenë, sikurse e kemi penguar ndarjen e Kosovës që të pengojmë influencën e Rusisë përmes një Dodik Republike, siç është tani një asociacion i komunave me kompetenca që mundësojnë prezencën dhe ndërhyrjen e mëtejme në jetën tonë të brendshme, jo të Serbisë, por të Rusisë”, tha Haradinaj, transmeton k.net.