25-11-2024

Haradinaj: Nuk shkohet në dialog me kushte

Vendimi për taksën ndaj mallrave të Serbisë, i cili është marrë tash e tre muaj më parë, kryeministri Ramush Haradinaj thotë se mund të ketë debat brenda koalicionit, por vendimi për taksën duhet të respektohet.

Haradinaj thotë se me koalicionin qeverisës janë kolegë në Qeveri dhe i kanë pikëpamjet se si mund të ecin proceset më mirë lidhur me taksën, ndërsa shtoi se vendimin për këtë çështje do të respektohet, sepse është vendim i Qeverisë.

“Ne kemi një vendim të marrë dhe derisa ekziston vendimi, këto janë mendime tona të ndërsjella, mund të diskutojmë, mund të vazhdojmë me diskutime por vendimi respektohet, sepse është vendim i Qeverisë… Edhe ne kemi dëshirë me hequr, nesër e kishim hequr sikur të na kishte njohur Serbia. Tani është mirë me kaluar në fazën finale të dialogut dhe me ndodhë njohja, sepse është në të mirën e të gjithëve në rajon, por edhe me na vendos kushte nuk bënë dhe nuk parashihet me shkuar në dialog me kushte”, theksoi Haradinaj.

Këto deklarata kryeministri Haradinaj i bëri pas një vizite në komunën e Mamushës, i cili iu ka premtuar mbështetje qeveritare fermerëve të kësaj ane.

Duke folur për efektet e taksës, kryeministri Haradinaj ka thënë se ka ndikim pozitiv për ekonominë dhe prodhimtarinë e Kosovës dhe kërkoi të parandalohet kontrabanda e mallra me rritjen e kontrollit kufitar nga Dogana, policia dhe inspektorati, transmeton ksp.

“Sot kemi pasur një konsultë me drejtorin e policisë, Rashit Qala, me drejtorin e Doganës, Bahri Berisha dhe natyrisht se çdo kush duhet ta kryej punën e vet, ata që trafikojnë të veten, por organet e rendit duhet me bërë punën e vet. Pra, (kontrabanduesit) nuk bënë me dalë më të zot se krejt shteti”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka urdhëruar Inspektoratin e Tregut të MTI-së që në bashkëpunim me Inspektoratet Komunale të bëjnë inspektime intensive të tregut në Republikën e Kosovës, për të verifikuar çdo dokumentacion të produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe nga vendet tjera dhe krahasimin e këtyre dokumenteve me produktet e ekspozuara në tregun tonë.

Asnjë koment

Comments are closed.