26-04-2024

Prizren: Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kanosje

I akuzuari për kanosje, Petrit Dibrani, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit Musli Gashi, i akuzuari Dibrani ka mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është e rëndë për mua që të pranoj një vepër të cilën nuk e kam bërë”, ka thënë i akuzuari Dibrani.

Pas deklarimit të tij, gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi e ka njoftuar të akuzuarin se brenda afatit ligjor, para shqyrtimit të dytë gjyqësor, mund të paraqesë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Kurse, shqyrtimin e dytë gjykatësi Krasniqi e ka caktuar për 1 prill 2019, prej orës 13:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 5 qershor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Petrit Dibranit, me arsyetimin se i njëjti, më 28 mars 2018, rreth orës 15:40, në rrugën “William Woker” në Prizren, seriozisht e kanos të dëmtuarin Labinot Hoxha, me fjalë, vepra apo gjeste.

Sipas organit të akuzës, thuhet se i akuzuari Dibrani, pas një mosmarrëveshje që kishte me të dëmtuarin Hoxha lidhur me punësimin e tij në firmën e të njëjtit, në ditën kritike, derisa i dëmtuari ishte në automjet me familjarët e tij, ai papritur e godet xhamin e automjetit me grusht dhe i kanoset me fjalët “qenke me familje por ta rregulloj punën unë tjetër ditë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dibrani, të dëmtuarit Labinot Hoxha shkakton ankth, frikë dhe pasiguri.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.