Has: Përkujtohet 20-vjetori i operacionit “Shigjeta”, Presidenti Thaçi shpallet “Qytetar Nderi” i Hasit (foto-video)
Ish-bashkëluftëtarë të njësive të operacionit “Shigjeta”, të shoqëruar edhe nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, si dhe shumë hasjanë të tjerë, janë mbledhur sot në Krumë të Hasit të Shqipërisë, për të përkujtuar 20-vjetorin e operacionit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, manifestimi është mbajtur në shtëpinë e kulturës “Pjetër Bogdani”, ku ishte prezent edhe kryebashkiaku i Hasit të Shqipërisë.
Pjesëmarrësit e operacionit të suksesshëm ushtarak që u realizua, gjatë luftës në Pashtrik, kanë falënderuar popullatën e Hasit për kontributin e pakursyer dhënë në luftën çlirimtare të Kosovës, ku 36 prej tyre ranë dëshmorë.
Me këtë rast, Prefekti i Krumës, Adem Lala shpalli Qytetar Nderi të Krumës, Presidentin Hashim Thaçi
Përkujtimi i kësaj ngjarje ka domethënie të rëndësishme, pasi enkas në këtë ditë nga të gjitha anët kthehen ish-bashkëluftëtarët, për t’u takuar e shënuar një ngjarje të lavdishme nga lufta heroike.
Në fund për të veteranët e UÇK-së dhe të pranishmit tjerë u shfaq një program i pasur kulturo-artistik./GazetaePrizrenit.net