Hasi: Trajneri i Belgjikës e befasoi Brazilin
Mbrëmja e parë e çerekfinaleve prodhoi emocione dhe befasi, teksa Franca dhe Belgjika kaluan në gjysmëfinale, ndërsa Brazilin e “përpiu” Kazani, qytet në të cilin ranë edhe Gjermania e Argjentina.
Për të diskutuar mbi këto dy takime, por edhe mbi botërorin në përgjithësi, në studion e “Top Arenës”, në Top Channel ishte edhe ish futbollisti i kombëtares shqiptare, Besnik Hasi.
Kjo është hera e parë për gjakovarin, që vjen në një televizion shqiptar, për të analizuar takimet e kampionatit botëror “Rusi 2018”.
Në komentin e tij për ndeshjen e mbrëmjes mes Brazilit dhe Belgjikës, si një njohës i mirë i kësaj kombëtareje, Hasi u shpreh se trajneri Martinez i befasoi amerikanolatinë me ndryshimin e skemës.
“Martinez ndërroi për herë të parë skemën, duke luajtur me 4 mbrojtëse dhe e befasoi kolegun e tij”, tha Hasi.
Më tej, ai u shpreh se ky sukses i Belgjikës është fryt i një pune ndër vite te federatës.
“Kjo është rezultat i punës shumë të gjatë të punës që ka bërë federata belge. Kjo gjeneratë ka gati 6 vite bashkë. Dështuan 4 vite më parë në Botëror, por frytet po vijnë. Ky është rasti i fundit për ta për të treguar veten. Pasi pësoi golin e parë, Brazili krijoi shumë hapësira dhe kjo ishte totalisht në favorin e Belgjikës, e cila i shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyer ato”, tha ai.
Më tej, ai foli edhe 3 prej lojtarëve që kanë qenë vendimtar në ecurinë e deritanishme të Belgjikës: “Fellaini është shumë i rëndësishëm për ndeshje si këto. Kjo ndeshje e donte një lojtar të tillë në fushë, duke dhënë stabilitet në fushë. De Bryne ka treguar atë formë që ka pasur edhe te City. Lukakun e njoh që 16 vjeç te Anderlehti. Është shumë profesionist, është fantastik, i cili ka bërë një progres të madh qëkur ka shkuar në Angli”.
Sa i përket gjysmëfinales Francë-Belgjikës, Hasi u shpreh se është një ndeshje pa favoritë. “Franca nuk është favorite ndaj Belgjikës edhe pse ata e shohin këtë kombëtare si ë vogël. Për mendimin tim. Mundësitë janë 50 me 50”./TCH/