Shkruan: Qazim Morina
Hasjanët janë bashkëvendës të patriotëve dhe intelektualëve të vjetër, si Pali i Hasit, Andrea e Pjetër Bogdanit, Pjetër Mazrrekut, Dervish Salihut, At Shtjefën Gjeçovit, Anton Pashkut, të aktorëve të mirënjohur Muharrem, Xhevat dhe Leze Qenajt, të Katarina Josipit, si dhe të shumë veprimtarëve kombëtarë.
Kjo trevë njihet si thesar për historinë, traditën e lashtë, ruajtjen e dokeve, ndërsa veshja e grave është ndër më unikalet, një vlerë e trashëgimisë kombëtare. Derisa në Zym mbahet manifestimi i Shoqatës së Shkrimtarëve “Takimet e Gjeçovit” në Gjonaj për çdo vit organizohet manifestimi tashmë tradicional “Hasi Jehon”.
Shumica prej banorëve të kësaj ane, janë treguar dhe po dëshmohen si njerëz të suksesshëm, që mund të udhëheqin biznese (piceri-furra-byrektore, restorante), jo vetëm në Europë, por edhe në shtete e kontinente të tjera (Amerikë, Australi, Kanada, etj).
Hasjanët sot përbëjnë mërgatën më homogjene, si në: Kroaci, Hungari, Gjermani, Austri e gjetiu. Vetëm në Hungari kanë në pronësi mbi 400 biznese, duke dëshmuar imazh shumë të mirë. Ata madje e kanë përmirësuar edhe perceptimin për shqiptarët, si njerëz punëtorë e të edukuar.
Në Berlin janë afro 3.000 hasjanë. Po ashtu ka edhe në Amerikë (Nju Jork, Çikago, Boston), në Londër… Ata njihen edhe si patriotë e humanistë. Me bukën e fituar ndershëm në kurbet kanë ndihmuar jo vetëm familjet e tyre, por edhe familje të tjera në Kosovë me aksionin “Familja ndihmon familjen” në vitet 1991-1995, ku ndihmë ofruan shumë pronarë furrash, sikurse familja Martinaj – furra “Qerimi” në Prishtinë.
Kontribuuan edhe për mbijetesën e arsimit shqip në rajonin e tyre gjatë viteve të pushtimit, si dhe në luftën e UÇK-së. Shumë djem nga Hasi, përfshirë edhe ata nga kurbeti, si dhe shumë të tjerë nga Hasi përtej Pashtrikut (Shqipëri) iu bashkuan luftës çlirimtare, ndërsa kanë edhe dëshmorë në Kosharen legjendare. Disa djem të kësaj ane janë shquar edhe në frontet e luftës në Kroaci e Bosnje.
Shoqata e bukëpjekësve “Hasi”në Zagreb ka qenë donatori i dytë pas shqiptarëve të Amerikës, që ka kontribuar në fondet për formimin e shtetit të Kosovës.
Hasjanët tashmë përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës në komunën e Prizrenit e të Gjakovës. Ata konsiderohen si forcë kryesore ekonomike në Prizren. Vetëm në rrugën nga kroi përballë urës tek selia e Komunës së Prizrenit e deri në Sheshin “Shatërvan” (rreth 300 m), janë 7 objekte me dyqane, në pronësi të hasjanëve.
Vëllezërit Morina nga Kushnini, ndërkaq kanë objektin më reprezentues në qendrën e Prizrenit (ish-Shtëpia e Mallrave), ku ndodhet kafiteria më e frekuentuar “Gatsbay” e cila vendos për çmimet në qytet. Një storie tjetër suksesi është edhe libraria më e madhe në trojet shqiptare “Altera”.
Hasjanët tashmë kanë edhe shumë kuadro të dëshmuara intelektuale, profesorë, mjekë, e deri te profesorë universitetesh. Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj- Perlaskaj është nga Zymi i Hasit.
Në ekipin e kombëtares në futboll kontribuuan Rashkaj, Përdedaj e Pnishi, ndërsa Albon Pervizaj gjithnjë e më shumë po shënon suksese në boks.
Kjo anë pati dhe ka, edhe këngëtarë e rapsodë të mirënjohur, si Nazmije Totaj-Hoxha, Shqipe Kastrati, pastaj “mbretin”e folklorit Augustin Uka nga Doli, rapsodin Isen Dida nga Kruma. Do theksuar se me këngën kushtuar Skënderbeut, të Islam Hasit, për një kohë në vitet ’80-ta të shekullit të kaluar, e niste programin radioja kombëtare, Radio-Tirana.
Aktualisht pjesë e pandashme në ceremonitë e gëzimit të shumicës së familjeve shqiptare janë edhe këngët e Bajram Gigollit. Në skenën muzikore po tregohet e suksesshme edhe 17-vjeçarja e talentuar, Aurora Kajdomçaj.
Madje, ndonjë studiues, lirisht mund ta merr si tezë masteri apo doktorate, çështjen e përhapjes dhe suksesit të furrtarëve hasjanë nëpër botë.
Për t’u lavdëruar është ajo se të rinjtë e kësaj ane janë dëshmuar si shembull për punëtorë e të ndershëm, jo vetëm në Kosovë, por edhe nëpër botë. Mbështetur në raportet policore, Hasi është ndër rajonet më të qeta. /GazetaePrizrenit.net