“Hasjanet” bëhen banore të Prishtinës (VIDEO)
Hasjanet kanë zënë vend në kryeqytet.
Skulptura që simbolizon historinë dhe vlerat e këtyre grave në etapa të ndryshme u vendos të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Autori i këtij kompozicioni, Luan Mulliqi, thotë se kjo vepër jep mesazh te shumë gjenerata për kontributin e grave të Hasit në jetën shoqërore dhe kombëtare. Prandaj, mund të shërbejë si porosi për të rinjtë.
“Atë që ne nuk kemi mundur ta arrijmë, le ta arrijnë ata. Le të jenë më të vetëdijshëm në pikëpamje shoqërore dhe kombëtare më shumë se ne”, tha ai gjatë fjalimit, transmeton Klan Kosova.
Në organizim mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, që u shpreh krenare me rolin e hasjaneve në trashëgimi.
“Ndihem më e fuqishme si grua dhe si bijë e këtij vendi, që pas meje janë skulpturat e gruas hasjane të cilat, përveç që i shohim, tregojnë historinë e gruas dhe rëndësinë që ka pasur në etapa të ndryshme”, u shpreh Dumoshi.
Në këtë ngjarje u tha se gratë e Hasit janë një ndër pasuritë më autoktone në trashëgiminë e kombit shqiptar.