19-05-2026

Hasjanët: Nga bullizmi dhe paragjykimet në krenari – si po shndërrohen në një komunitet ndër më të rëndësishmit në Kosovë e diasporë

“Ju jini me sheh”,  jini me kuka, jini furrtarë dhe “Tre hasjanë, ni thes tërshanë”?!

Shkruan: Qazim Morina / Prizren

Nga stereotipet dhe përqeshja te rivlerësimi shoqëror

Pavarësisht se Hasi ndër shekuj ka nxjerrë figura të rëndësishme kombëtare, fetare dhe kulturore, si Pjetër Bogdani, Pali i Hasit, Dervish Salihu e shumë të tjerë, komuniteti hasjan shpesh është përballur me paragjykime dhe keqkuptime në diskursin shoqëror shqiptar.

Është e vështirë të gjendet në Kosovë një komunitet shqiptar që historikisht është trajtuar me më shumë paragjykime sociale sesa komuniteti hasjan. Për dekada me radhë, hasjanët kanë qenë objekt stereotipesh, ironizimesh dhe bullizimi kulturor. Ata janë përqeshur për bindjet e tyre fetare, për lidhjen tradicionale me figurën e Shejhut, për simbolikën e “Kukave”, për veshjen karakteristike të grave me “kulla”, si dhe për shprehje denigruese të tipit: “Tre hasjanë, një thes tërshanë”, një frazë e përdorur shpesh pa e ditur fare as domethënien reale të saj.
Në shumë raste, paragjykimet janë shtrirë edhe ndaj profesionit tradicional të tyre, veçanërisht zanatit të bukëpjekësit, i cili padrejtësisht është konsideruar për një kohë të gjatë si profesion me status më të ulët shoqëror.

Megjithatë, zhvillimet historike dhe transformimet shoqërore kanë dëshmuar se paragjykimet kolektive shpesh bien përballë realitetit të vlerave autentike njerëzore dhe kulturore. Koha ka bërë të vetën, duke e rikthyer në pah identitetin dhe kontributin real të Hasit dhe hasjanëve në jetën shqiptare.

Hasi si model i harmonisë ndërfetare

Në aspektin fetar, Hasi paraqet një model të rrallë të harmonisë ndërfetare. Në këtë rajon bashkëjetojnë me respekt traditat islame dhe katolike, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve kanë qenë historikisht të qëndrueshme dhe shembullore, deri edhe në krijimin e lidhjeve familjare përmes martesave.

Sa i përket lidhjes tradicionale të shumë hasjanëve me bektashizmin dhe figurën e Shejhut, kjo çështje ka marrë edhe dimension institucional në diskursin modern shqiptar. Në vitin 2024, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi publikisht krijimin e një “Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi” në Tiranë, sipas një modeli të ngjashëm me atë të Vatikanit, çka dëshmon një rivlerësim të trashëgimisë bektashiane në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar.

Veshja tradicionale: Nga paragjykimi në simbol identiteti

Edhe veshja tradicionale hasjane, dikur objekt paragjykimi dhe nënçmimi, sot konsiderohet një ndër elementet më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare. Kostumet tradicionale të Hasit arrijnë vlera deri në 6–7 mijë euro dhe po fitojnë gjithnjë e më shumë statusin e simbolit identitar dhe etnografik.

Hasi, njëkohësisht, njihet si një nga rajonet më autentike në ruajtjen e strukturës së vet etnike dhe kulturore.

Transformimi ekonomik dhe kultura e punës

Transformimi është i dukshëm edhe në aspektin ekonomik dhe social. Sot, hasjanët konsiderohen ndër komunitetet më homogjene dhe më stabile ekonomikisht në Kosovë. Ata identifikohen me kulturën e punës, ndershmërinë, besueshmërinë dhe përkushtimin profesional.

Përveç kësaj, shumë familje kanë ndërtuar mirëqenie pikërisht përmes zanatit tradicional, sidomos atij të bukëpjekësit. Një profesion që dikur paragjykohej dhe nënvlerësohej, sot shihet si simbol i punës së ndershme, sakrificës dhe suksesit të arritur me mund. Përmes tij, shumë hasjanë kanë krijuar biznese të qëndrueshme dhe kanë siguruar mirëqenie për familjet e tyre, brenda dhe jashtë Kosovës.

Shprehjet ironike të së kaluarës tashmë mund të zëvendësohen simbolikisht me formulime që reflektojnë realitetin e ri: një komunitet që ka ndërtuar mirëqenie përmes djersës, sakrificës dhe punës së ndershme. “Tre hasjanë një thes pare të djersës”!

Mikpritja – një vlerë që nuk ndryshon

Megjithatë, përtej çdo transformimi ekonomik apo shoqëror, një vlerë ka mbetur e pandryshuar: mikpritja hasjane. Ajo nuk është thjesht pjesë e folklorit apo e narrativës lokale, por një praktikë e përditshme jetese.

Mikpritja, bujaria dhe respekti ndaj mysafirit janë cilësi që janë vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga vizitorë dhe bashkëpunëtorë të huaj nga vende të ndryshme evropiane.

Hasjanët si ambasadorë të shqiptarisë në diasporë

Transformimi dhe afirmimi i hasjanëve nuk kufizohet vetëm brenda Kosovës apo rajonit shqiptar. Sot, ata mund të konsiderohen edhe si një ndër komunitetet më përfaqësuese të shqiptarisë në diasporë, sidomos përmes kulturës së punës, ndershmërisë dhe reputacionit që kanë ndërtuar ndër vite.

Përveç pranisë së tyre të fuqishme në vende të ndryshme të Evropës, ku shumë prej tyre zotërojnë biznese dhe dyqane të suksesshme, hasjanët tashmë kanë shtrirë aktivitetin afarist edhe në SHBA. Përmes punës, disiplinës dhe respektit që gëzojnë në komunitetet ku jetojnë, ata janë shndërruar në ambasadorë të heshtur të vlerave shqiptare në botë. / Gazeta e Prizrenit /

P. S. Autori është profesor e gazetar në Prizren.


Asnjë koment

Comments are closed.