Haskuka: Do marrim gati 55 ulëse në Kuvend Vjosa Osmani do na sjell më shumë vota
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Prizrenit ka thënë që ka pritshmëri që VV-së ti rriten votat , në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen së shpejti, shkruan Gazeta Express.
“Në çdo zgjedhje ne jemi duke e rritur votën dhe besoj që edhe në zgjedhjet e ardhshme do të kemi rritje të votave për VV-në. Kjo po shihet edhe në sondazhe se VV-ja do të ketë shumë më shumë deputet se partitë thjerra”, ka thënë ai, në emisionin “Frontal”, në T7.
Lexo Edhe:
Haskuka theksoi se bazuar në hulumtime, VV-ja mund ti marrë rreth 55 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Aty po dalim shifra që do ti kemi diku rreth 55 deputet. Unë kam kolegë edhe nga partitë e tjera që dialogoj dhe e di që edhe tek ata dalin rezultatet përafërsisht të njëjta”, ka thënë më tutje Haskuka.
Anëtari i LVV-së më tutje tha se bashkëpunimi me Vjosa Osmanin do ta rriste edhe më shumë elektoratin e VV-së.
“Hulumtimet janë bërë ashtu siç janë aktualisht partitë politike. Shumica e hulumtimeve janë bërë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tani pas vendimit mendoj që gjërat do të ndryshojnë. Zonja Vjosa Osmani e ka elektoratin e vet dhe mendoj që edhe vota e saj nëse shtohet është shumë më lehtë krijimi i një Qeverie me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin”, ka deklaruar ai.
Sipas Haskukës për momentin, Kurti dhe Osmani janë liderët që e gëzojnë më së shumti popullaritetin në vend.
“Albin Kurti është një person që gëzon popullaritetin më të lartë tek politikanët. Poashtu edhe zonja Osmani sepse i kanë mbajtur qëndrimet e tyre dhe e kanë mbajtur fjalorin e tyre si para zgjedhjeve ashtu edhe pas zgjedhjeve gjë që se kanë bërë kryetarët e partive të tjera”, ka thënë ai.
I pyetur se a ka rrezik që me kandidimin e Enver Hoxhajt për kryeministër, Prizreni me rrethinë ti kthehet PDK-së, Haskuka tha se gjërat tani kanë ndryshuar.
“Mendoj që Prizreni i ka prirë ndryshimit në Kosovë dhe do të vazhdojë që ti prij ndryshimit. Për sa i përket kandidaturës së Hoxhajt, unë kam respekt për të personalisht por mendoj që tash gjërat kanë ndryshuar”, ka pohuar ai. /Gazeta Express/