25-11-2024

Haskuka e mban në punë drejtorin me aktakuzë, përkundër premtimit ndryshe (Video)

Ertan Simitçiut, drejtor për Ekonomi dhe Financa në komunën e Prizrenit, ka disa ditë që nga Prokuroria Themelore në Prizren i është ngritur aktakuzë, për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Ai akuzohet se në periudhën janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e Drejtorit për Drejtorinë në Ekonomi dhe Financa, ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke u dhënë disa medieve lokale në këtë qytet para në vlerë prej 11 mijë e 800 euro, pa kaluar fare në procedura të tenderimit, të cilat janë të parapara me ligj.

Në një përgjigje me shkrim Prokuroria Themelore në këtë komunë ka thënë se me datë 31 korrik, ka ngritur aktakuzë për Simitçiun.

“Me datë 31.07.2019 Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E. S., në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa, në Komunën e Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Ertan Simitçiu përmes telefonit i ka thënë KTV-së se nuk ka pranuar ende asnjë njoftim nga Prokuroria lidhur me dyshimin për ndonjë vepër penale.

Të njëjtën gjë e thotë edhe kryetari i komunës i cili kishte premtuar se gjatë qeverisjes së tij nuk do të ketë staf me aktakuzë.

Më tutje Haskuka ka akuzuar Prokurorinë që nuk po merret me dosjet të cilat i ka dorëzuar për keqpërdorime të qeverisjes së kaluar.

E opozita në këtë komunë kërkon shkarkimin e tij, pasi që ka qenë vetë Haskuka i cili ka premtuar një gjë të tillë.

Në tetor të vitit të kaluar KTV-ja ka raportua se drejtori i kulturës në këtë komunë, Ehat Oreshka, ishte i dënuar për dy vepra penale, por që Mytaher Haskuka nuk e kishte shkarkuar atë nga pozita.

Asnjë koment

Comments are closed.