10-05-2021

Haskuka: Gastronomia të hapet vetëm jashtë, dasmat është ende herët të lejohen

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë hapja e gastronomisë nga java e ardhshme do të ishte më mirë që të lejohej vetëm jashtë, në tarraca, ndërkaq lidhur me kërkesën për lejimin e dasmave, ka thënë se kjo është shumë e hershme.

Haskuka ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se duhet të pritet edhe muaji maj që të bien rastet e më pas të vendoset për hapa të mëtutjeshëm.

“Gastronomia është mirë të hapet jashtë. Moti po ngrohet dhe është më e lehtë të menaxhohet. Kërkesat për lejimin e dasmave, mendoj që është herët. Po presim që brenda muajit maj të bie numri i rasteve dhe të hapen bizneset e tjera”, është shprehur Haskuka.

Ndërkaq, duke folur për procesin e vaksinimit, ai ka thënë se në komunën e Prizrenit janë vaksinuar më pak mjekë se sa që është pritur.

“Më pak mjekë kanë marrë vaksinë se sa që kemi pritur, por një pjesë e tyre kanë thënë se e kanë kaluar virusin dhe kanë antitrupa dhe se nuk kanë nevojë”, ka deklaruar Haskuka.

I pyetur ndërkohë lidhur me gjendjen në qendrat mjekësore të Prizrenit si pasojë e COVID-19, Haskuka ka thënë se numri i pacientëve që po hospitalizohen po bie gradualisht ndërkaq ka shprehur nevojën për më shumë staf mjekësor./Koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.