Haskuka kërkon nga diaspora vozitje të kujdesshme, për t’i shmangur aksidentet
Kryetari i Komunës së Prizreni, Mytaher Haskuka derisa ka ftuar bashkatdhetarët të cilët janë kthyer për pushime që të jenë pjesë e aktiviteteve të organizuara për diasporën gjatë fundjavës, ka kërkuar nga ta, që të jenë të kujdesshëm në trafik, për ta shmangur më të keqen.
Përmes një postimi në “facebook”, ai ka shkruar se Prizreni është destinacion i pakapërcyeshëm gjatë pushimeve të bashkatdhetarëve në Kosovë, andaj edhe ka shfrytëzuara rastin t’u urojë mirëseardhje në vendlindje dhe pushime të këndshme.
Ja një pjesë e shkrimit të tij:
“Për vendlindjen e ndiejmë të njëjtën dhimbje, të gjitha proceset e deritashme i kemi përjetuar njësoj, të mirat dhe të këqijat. Jemi të vetëdijshëm se ndonjëherë edhe e keni të vështirë kur përballeni me realitetin në Kosovë.
Nga fillimi i këtij viti Komuna e Prizrenit ka një qeverisje të re dhe ne jemi duke punuar që të krijojmë ambient sa më të përshtatshëm dhe të sigurtë për të gjithë ju.
Ditëve të fundit ka shumë lajme për aksidente me vetura, prandaj ju ftoj që të kemi kujdes të shtuar në trafik, t’i përmbahemi rregullave dhe të dimë që koha e humbur mund të kompenzohet por jetët e humbura nuk mund t’i kthejmë përsëri.
Me këtë rast, ju ftoj që të shtunën dhe të dielën të jeni pjesë e organizimeve të shumta që do të organizohen për ju në Prizren.
Për çdo rast, numri kujdestar i Komunës së Prizrenit është 0800 19 200”, ka shkruar ai.
Kryetari i ka publikuar edhe linkun rreth aktiviteteve për diasporën:
https://kk.rks-gov.net/…/…/2018/07/Agjenda-per-Diasporen.pdf