Haskuka: Konkursi i anuluar për mësimdhënës pati 20 vende më tepër se kërkesat e shkollave
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mutaher Haskuka, ka deklaruar se konkursi për mësimdhënës, të cilin e ka anuluar në fillim të këtij viti shkollor, ishte në kundërshtim me ligjin, derisa ishin shpallur edhe më shumë vende të lira, krahasuar me nevojat e shkollave.
Duke ju përgjigjur kritikave të opozitës për anulimin e konkursit që së fundi është reflektuar në mbarëvajtjen e procesit arsimor, kreu prizrenas në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, tha se konkursi i shpallura nuk kanë qenë krejt sipas kërkesave nga shkollat, pasi kishte 20 pozita më tepër se sa nevoja.
“Pas konsultave që patëm me drejtorët e shkollave ka dalë se nevojat kanë qenë për 50 vende, ndërsa ish-drejtori kishte shpallur 70 vende”, ka thënë Haskuka, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Sipas tij në aspektin e konkursit ka pasur shkelje ligjore dhe për këtë ka kërkuar interpretim nga MASHT-i. “Defrim Gashi nga Inspektorati në përgjigjen e kthyer se Konkursi, ka thënë se konkursi nuk është mbështetur në nenin 35 paragrafi 4 i Ligjit për Arsim Parauniversitar 04 të Kosovës. Edhe Inspektorati edhe Zyra Ligjore në MASHT kanë thënë se duhet anuluar ky konkursi. Unë nuk e kam bërë këtë veprim sipas qejfit tim”, ka thënë Haskuka.
Në prag të fillimit të këtij viti shkollor, me pretendimin për parregullsi në konkursin për mësimdhënës, Haskuka shkarkoi ish-drejtorin e Arsimit, Gani Gërmizajn (nga Nisma) dhe pati anuluar konkursin.
Ndërkaq, gazeta mëson se pas konkursit disa drejtorë të shkollave kishin drejtuar ankesa në zyrën e kryetarit, duke e njoftuar se në disa raste ata nuk kishin kërkuar personel, për të cilin ishin shpallur vendet e lira në konkursin tashmë të anuluar.
Komuna e Prizrenit, tashmë ka rishpallur konkurs për personel në shkolla./GazetaePrizrenit.net/