13-05-2024

Haskuka: Konkursi i anuluar për mësimdhënës pati 20 vende më tepër se kërkesat e shkollave

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mutaher Haskuka, ka deklaruar se konkursi për mësimdhënës, të cilin e ka anuluar në fillim të këtij viti shkollor,  ishte në kundërshtim me ligjin, derisa ishin shpallur edhe më shumë vende të lira, krahasuar me nevojat e shkollave.

Duke ju përgjigjur kritikave të opozitës për anulimin e konkursit që së fundi është reflektuar në mbarëvajtjen e procesit arsimor,  kreu prizrenas në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, tha se konkursi i shpallura nuk kanë qenë krejt sipas kërkesave nga shkollat,  pasi kishte 20 pozita më tepër se sa nevoja.

“Pas konsultave që patëm me drejtorët e shkollave ka dalë se nevojat kanë qenë për  50 vende,  ndërsa ish-drejtori kishte shpallur 70 vende”, ka thënë Haskuka, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas tij në aspektin e konkursit ka pasur shkelje ligjore dhe për këtë ka kërkuar interpretim nga MASHT-i.  “Defrim Gashi nga Inspektorati  në përgjigjen e kthyer se Konkursi, ka thënë se konkursi nuk është mbështetur në nenin 35 paragrafi 4 i Ligjit për Arsim Parauniversitar  04 të Kosovës. Edhe Inspektorati  edhe Zyra Ligjore në MASHT kanë thënë se duhet anuluar ky konkursi. Unë nuk e kam bërë këtë veprim sipas qejfit tim”, ka thënë Haskuka.

Në prag të fillimit të këtij viti shkollor, me pretendimin për parregullsi në konkursin për mësimdhënës,  Haskuka shkarkoi  ish-drejtorin e Arsimit, Gani Gërmizajn (nga Nisma) dhe pati anuluar konkursin.

Ndërkaq, gazeta mëson se pas konkursit disa drejtorë të shkollave kishin drejtuar ankesa në zyrën e kryetarit, duke e njoftuar se në disa raste ata nuk kishin kërkuar personel,  për të cilin ishin shpallur vendet e lira në konkursin tashmë të anuluar.

Komuna e Prizrenit, tashmë ka rishpallur konkurs për personel në shkolla./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.