24-11-2024

Haskuka kritikon ish-qeverisjen komunale për Kompleksin Memorial në Korishë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka kritikuar ish-qeverisjen e kaluar rreth ndërtimit të Kompleksit Memorial në fshatin Korishë.

Përkundër që në fillim të vitit, autoritetet zakonisht paralajmërojnë ndonjë projektet që pritet të realizohet në vijim, kryetari prizrenas ka zgjedhur t’i rikthehet një projekti të realizuar më parë. Për qasje të tilla, Haskuka është kritikuar shpesh nga opozita aktuale, me arsyetim se në vend se të planifikojë me të ardhmen, ai merret me të kaluarën.

Përmes një postimi në profilin e tij në ‘facebook’, në të cilin Haskuka ka publikuar edhe disa fotografi, ai ka shkruar:

“Edhe pse si qeverisje nuk kemi pasur dëshirë të humbim kohë me parregullsitë e qeverisjes së kaluar, si detyrë e jona ishte edhe raportimi i parregullsive dhe keqpërdorimeve, ku më shumë se 58 raste i kemi dërguar në organet e gjyqësisë.

Po çfarë mentaliteti qeverisës ka pasur Klani Pronto mund të vërehet edhe nga ato se çka kanë bërë në varrezat e dëshmorëve dhe të martirëve. Shembull konkret “Kompleksi Memorial i Martirëve në Korishë”.

Ndërtimi i Kompleksit Memorial në Korishë ka filluar në vitin 2011. Kostoja e projektit është 145,891 Euro. Komuna e Prizrenit ka paguar kompaninë për përfundimin e këtij projekti, edhe pse punimet nuk ishin kryer.

Për më shumë, në vitin 2016  Drejtoria e Administratës me datën 14.10.2016 ka nënshkruar edhe një kontratë të re për Rregullimin e Memorialit në Korishë me vlerë 47,142 Euro.

Qeverisja e kaluar për Memorialin e Korishës ka paguar në total 193,033 Euro për dy kompani private, por sic shihet nga fotot përsëri punimet nuk janë kryer as për së afërmi.

Si është e mundur që dy herë të paguhet për një projekt dhe të mos përfundojë? Pse janë bërë pagesat kur projekti nuk ka përfunduar? A nuk është ky keqpërdorim i parasë publike edhe në varrezat e atyre që dhanë jetën për liri?

Është për keqardhje se si është keqpërdorur buxheti komunal edhe në varrezat e dëshmorëve dhe të martirëve”.

Fotografia e Mytaher Haskuka

Asnjë koment

Comments are closed.