23-11-2024

Haskuka kritikon partitë politike për shfrytëzim të pronës komunale, ndërsa Baldedaj i reagon

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka deklaruar se partitë politike në Prizren, për zyrat e tyre i kanë shfrytëzuar lokalet e komunës, ndërsa kanë shkaktuar humbje nga të hyrat vetanake të Komunës, në vlerë rreth 200 mijë euro në vit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Ndaj një postimi të tillë të kryetarit, ndërkaq ka reaguar shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, i cili ndër tjera ka këtë e ka vlerësuar “më shumë se diletantizëm politik”.

Ndryshe, çështja e shfrytëzimit të zyrave të subjekteve politike, që deri tash kanë paguar një shumë simbolike, vetëm 1 euro për shfrytëzim është diskutuar edhe në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal, por një vendim i ri i propozuar, për ndryshimin e vendimit të këtij organi, të vitit 2005, sic është thënë pas rekomandimeve të auditorit nuk ka kaluar, pasi është kundërshtuar nga anëtarët e KK-së.

Ja postimi i plotë i Haskukës në “facebook” :

“Një vendim i asamblesë komunale nga viti 2005 i ka dhënë lokalet e komunës partive politike pa ankand publik, duke krijuar humbje nga të hyrat vetanake Komunës së Prizrenit rreth 200,000 Euro në vit.

Tre raportet e fundit të auditorit të përgjithshëm kanë dhënë vërejtje se ky vendim tanimë është i kundërligjshëm. Por ky avaz ka vazhduar për mbi dhjetë vjet, që shumëzuar në vlerë e rrit dëmin në mbi 2 milionë Euro.

Pos këtij dëmi të shkaktuar nga shfrytëzimi i lokaleve të Komunës me pagesë simbolike nga partitë politike, qytetit të Prizrenit i është shkaktuar dëm edhe nga mosmundësia e zhvillimit të veprimtarive afariste në qendrën historike të qytetit. Mbi dhjetë subjekte politike kanë zënë lokalet më të vlefshme në zonën historike duke pakësuar mudësitë e afaristëve për investim në këtë zonë.

Kjo praktikë duhet të ndryshojë, prandaj nga mbi dhjetë pika për diskutim që është bërë dje në Asamblenë Komunale, njëra prej tyre ka qenë kërkesa ime për shfuqizimin e këtij vendimi nga asamblistët.

Është për keqardhje që shumica e asamblistëve kanë refuzuar propozimin për shfuqizimin e këtij vendimi, i cili tanimë është në kundërshtim me ligjin. Së shpejti do të dalim me një raport të hollësishëm mbi gjendjen në terren dhe do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm. Koha e keqmenagjimit të pronës publike ka kaluar”, ka shkruar Haskuka.

Ja ndërkaq, postimi i Baldedajt:

“Athua është i vetëdijshëm Mytaher Haskuka çfarë po shkruan e çfarë akuzash po bënë. Kryetari i ri Prizrenit nuk e njeh jetën qytetin e Prizrenit, nuk i njeh zhvillimet politike, por që është kaq i pa interesuar për të kaluarën, kjo nuk e do asnjë koment.

Ti ngrihesh si lugat kundër subjekteve politike, edhe atij që i takon vet dhe t’i akuzon se e kanë dëmtuar buxhetin e Komunës për 2 milion euro, ky është më shumë se diletantizëm politikë, mosnjohuri elementare e zhvillimeve në qytet, por edhe mungesë e interesimit për zhvillimet e deritashme.

Për Mytaherin gjithçka ka nis nga e para. Ai shkon edhe më larg dhe thotë partitë politike e kanë pamundësuar zhvillimin e veprimtarive afariste në qendër të qytetit. Athua është i vetëdijshëm kryetari çfarë akuze po bënë.

Shkon edhe më larg “Mbi dhjetë subjekte politike kanë zënë lokalet më të vlefshme në zonën historike duke pakësuar mundësitë e afaristëve për investim në këtë zone”. Ky mentalitet e Mytaher Haskukës është më shumë se diletantizëm, është provë se ai po mundohet që të “zhduk” gjithçka nga e kaluara, duke e akuzuar këtë të kaluar.

Pos që e konteston një vendim të ligjshëm të Kuvendit Komunal, Mytaher Hakuka e konteston edhe votimin legjitim të sotëm në Kuvendin Komunal. Ai i sulmon partitë politike sikur ato të ishin prona private e jo, subjekte nga të cilat ka dalë edhe ai dhe është në vendin ku është.

Gjykojeni vetë se çfarë kryetari kemi. Një i këtillë i bënë dëm qytetit, dhe ky dëm rritet me kalimin e ditëve”. ka shkruar ai.

 

Asnjë koment

Comments are closed.