25-11-2024

Haskuka ndërron disa drejtorë shkollash në Prizren, emëron ushtrues detyre

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka ndërruar disa zëvendësdrejtorë dhe shumicën e drejtorëve të shkollave, ndërsa në vend të tyre ka preferuar që pa konkurs të emërojë disa mësimdhënës, raporton Gazeta e Prizrenit.

Referuar disa drejtorëve, Haskuka me anë të zarfeve të dërguar përmes korrierëve të komunës, ka njoftuar ata për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në pozitat udhëheqësve, dhe po ashtu përmes kësaj forme ka njoftuar për emërimin e personave, të cilët do t’i zëvendësojnë ata.

Në fakt, drejtorët janë shprehur se atyre u kishte skaduar kontrata një muaj më parë, por se në këtë rast nuk është shpallur konkurs, përzgjedhjen e drejtuesve të rinj.

Ndaj këtij veprimi ata kanë paralajmëruar ankesë dhe interpretim ligjor nga organet e drejtësisë.

Sipas drejtorëve, në këtë rast nuk është marrë parasysh fare performanca e treguar në udhëheqjen e shkollave, as në rastet kur shkollat kanë shënuar suksese, e që sipas ligjit shërben edhe si mundësi për vazhdimin e kontratës, ndërsa për zëvendës janë caktuar mësimdhënës pa kryer trajnimin për menaxhim të institucioneve shkollore.

Lidhur më këtë çështje, portali “Gazeta e Prizrenit” i ka kërkuar deklarim zyrës për media pranë kryetarit Haskuka dhe në shkrimet e radhës, do ta botojë përgjigjen e tyre. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.