23-11-2024

Haskuka paralajmëron anulimin e përzgjedhjes për disa drejtorë shkollash

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, derisa ka  folur për emrat e propozuar për drejtorë shkollash, ka paralajmëruar anulimin në tërësi të procesit në rastet në të cilat ka pasur ndikime nga jashtë, duke thënë se për ato shkolla përkohësisht do të caktohen ushtrues detyre, por nuk ka konkretizuar për cilat raste bëhet fjalë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Haskuka e ka bërë këtë në profilin e tij në “facebook”, ku sa i përket përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Prizren, ka shkruar se vlerësimi i kandidatëve është bërë sipas ligjit dhe me pikëzim. “Pra, pas intervistimeve dhe vlerësimit të kualifikimeve të secilit kandidat, ata që kanë pasur më së shumë pikë janë rekomanduar për drejtorë shkollash. Vlerësimin e pikëve e ka bërë komisioni në përputhje me ligjin, Udhëzimin Administrativ të MASHT dhe Udhëzuesin për procedurën e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Komunën e Prizrenit. Një gjë e tillë është bërë për herë të parë në komunën tonë”, ka shkruar ai.

Kryetari me tej ka shkruar se për t’u siguruar që procesi të jetë i drejtë dhe transparent, tërë sistemin e kanë monitoruar përfaqësues të shoqërisë civile, sindikatës së arsimit, këshillit të prindërve dhe dy monitorues nga zyra e kryetarit, sistem ky i mbikëqyrjes që sipas tij është është aplikuar për herë të parë në Komunë.

“Për më tepër, janë bërë krahasimet mes vlerësimit të komisionit dhe të monitoruesve që të shihet nëse ka shpërputhje në vlerësime. Në pak raste ku ka pasur ndikime nga jashtë, procesi është anuluar në tërësi dhe përkohësisht do të caktohen ushtrues detyre për ato shkolla”, ka shkruar Haskuka.

Përkundër kësaj, ai nuk ka qenë konkret, për të sqaruar se për çfarë ndikimesh bëhet fjalë  dhe për cilat raste e ka fjalën. Kjo mbetet të shihet në ditët në vazhdim.

Haskuka megjithatë nuk mori pjesë në mbledhjen e posaçme të Kuvendit Komunal të Prizrenit, që javën e kaluar ishte thirrur me kërkesë të opozitës, pikërisht për të debatuar për gjendjen në arsimin prizrenas, pas shpalljes së emrave të propozuar për drejtorë shkollash.

Siç kemi raportuar,  pos opozitës, për emrat e propozuar ka pakënaqësi edhe në radhët e vet partive të koalicionit, sidomos të LDK-së, e cila po ashtu bojkotoi seancën e jashtëzakonshme të KK-së, duke përsëritur se po analizon qëndrimin në koalicion.

Haskuka ndërkaq ka shkruar se pa marrë parasysh “avancimet e procesit në përzgjedhjen e drejtorëve”, të cilën e ka vlerësuar si më transparente se kurrë më parë,  do të shqyrtohen të gjitha ankesat e pranuara deri në përfundim të afatit kohor të ankesave. “Nëse ato vlerësohen se kanë bazë, gjithsesi që do të merren masat e duhura për përmirësime”, ka shkruar ai./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.