Haskuka paralajmëron orientimin e buxhetit nga “afsalti” në turizëm, shëndetësi dhe ujë e kanalizim
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, paralajmëruar ndryshimin e orientimit të buxhetit komunal për vitin e ardhshëm, duke shmangur siç ka thënë fokusimin në “asfalt e beton” , drejt në turizmi, prodhimtarisë, arsimit dhe ujit e kanalizimit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”
Planifikimi i buxhetit komunal është një proces shumë i rëndësishëm i cili përcakton kahet e zhvillimit të qytetit dhe komunës, në vitet e ardhshme.
Haskuka përmes profilit zyrtar në “facebook’ ka bërë të ditur se pas dëgjimeve publike, takimeve me qytetarë, shoqatave dhe organizatave të tjera, muajt e fundit po punohet intensivisht në përpilimin e buxhetit të Komunës.
“Për aq sa mund të kumtoj deri më tani, buxheti i vitit 2019 do të pësojë ndryshime të shumta nga vitet paraprake, kur investimet e Komunës kanë qenë të orientuara kryesisht në “asfalt e beton”, ka shkruar ai.
Sipas tij, pos përfshirjes së projekteve për ndërtim të infrastrukturës (ku janë të adresuar nevojat specifike të qytetarëve), në buxhet do të përfshihen edhe shumë projekte zhvillimore që kanë për qëllim hapjen e perspektivave të reja për qytetarët e komunës si në turizëm, bujqësi, prodhimtari, arsim, shëndetësi dhe lëmi të tjera.
“Gjithashtu prioritet i vitit të ardhshëm do të jetë uji dhe kanalizimi. Buxheti i ri do t’i prezantohet asamblesë gjatë këtij muaji dhe pas aprovimit, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të fillojë implementimi i tij”, ka shkruar Haskuka./GazetaePrizrenit.net/