25-04-2024

Përfaqësues të SBASHK-ut te Haradinaj, kundërshtojnë Projektligjin për pagat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në takim një delegacion të përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) të Republikës së Kosovës, me të cilët ka biseduar për pozitën dhe gjendjen aktuale të punëtorëve të arsimit, shkencës dhe kulturës në vendin tonë, duke vënë theksin në zhvillimet aktuale rreth Ligjit për Pagat i cili afekton edhe të punësuarit në këta sektorë.

Përfaqësuesit sindikalë kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër dispozitave të Projektligjit për pagat në sektorin publik, sipas të cilit punëtorët e arsimit janë të ranguar shumë ulët në vlerën e koeficientit të pagave.

Kërkesat e punëtorëve të sektorit të arsimit janë që të rritet koeficienti i pagave për sektorin e arsimit në kuadër të Ligjit për pagat.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka shprehur angazhimin e Qeverisë për të trajtuar arsimin si njërin nga prioritetet kryesore strategjike për zhvillimin e vendit dhe në këtë drejtim janë marrë veprimet që në vazhdimësi të krijohet një situatë shumë më e favorshme në ngritjen e nivelit të arsimit të gjeneratave të reja, duke shtuar se Ligji për pagat do të trajtohet edhe në komisionet përkatëse Parlamentare, nga ku mund të rrjedhin rekomandime të tjera në këtë drejtim.

“Ne kemi nevojë për një edukim më të avancuar të rinisë në Kosovë. Ne kemi nevojë që brezat tanë të aftësohen për jetë dhe të jenë konkurrent në tregun e punës me dijen dhe aftësitë që do të fitojnë në procesin e arsimit”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj dhe ka shtuar se për këtë pret kontributin e të gjithëve, në veçanti të atyre që janë të përfshirë në procesin e arsimit dhe edukimit në Republikën e Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar dhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.