24-11-2024

Haskuka shprehet se aktakuzat ndaj drejtorëve janë bërë për ta pamundësuar punën e Komunës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka reaguar pas ngritjes së aktakuzave ndaj pesë zyrtarëve komunal. Haskuka thotë se nga marrja e mandatit të Kryetarit, Komuna e Prizrenit është bllokuar nga institucionet dhe se aktakuzat janë bërë për ta pamundësuar punën e Komunës së Prizrenit.

“Që nga marrja e mandatit të Kryetarit, Komuna e Prizrenit është bllokuar nga institucionet të cilat janë dashur të jenë lehtësues të punës së Komunës. Tentativë e tillë për bllokimin e punës së Komunës është edhe rasti i fundit i cili sot ka dalur në media.

Pas shikimit të rastit na del që një proces “ADMINISTRATIV” i cili ka qenë sipas Ligjit nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me kritere të shpallura publike, në afatet kohore të parapara, me kritere transparente të vlerësimit, me anëtarë të Komisionit të cilët janë votuar nga Asambleja Komunale, pa asnjë provë për keqpërdorim, ngrihet aktakuzë ngase kanë bërë vlerësimet e tyre në komision.

Kjo na bën të qartë që kjo aktakuzë është bërë për ta pamundësuar punën e Komunës së Prizrenit. Tani e tutje çdo anëtar i Komisioneve do të jetë i rrezikuar për vlerësimet që i bën sipas kritereve. Pra paradoksi i veçantë është që anëtarët e një komisioni akuzohen pa asnjë provë që kanë respektuar kriteret e shpallura të ankandit publik. Nëse kjo aktakuzë merret si e bazuar, tani e tutje asnjë person nuk do të pranojë të jetë anëtar i komisioneve dhe kjo nënkupton që në të ardhmen jo vetëm Komuna e Prizrenit por të gjitha institucionet e Kosovës do të bllokohen në punën e tyre.

Për më tepër aktakuza pos gabimeve bazike logjike ka edhe gabime konceptuale. Komisioni për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Publike për çështje “transparence” është votuar nga Asambleja dhe aty pos drejtorëve, janë edhe asamblistët dhe anëtar të shoqërisë civile. Pra, ju vihet në dije gjithë atyre që bashkëpunojnë me Komunën që mund të jenë target potencial për punën e tyre.

Në rastin në fjalë prokurori me qëllim apo pa qëllim nuk e thekson që neni 3 paragrafi 11 i Ligjit nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme parasheh që “fituesi të zgjedhet në bazë të çmimit dhe në raste specifike kritereve të tjera të përcaktuara në ankand”. Prandaj, Komuna e Prizrenit duke marrë parasysh faktin se lokalet, të cilat janë dhënë në shfrytëzim gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit ka bërë disa kritere ashtu siç parashihet sipas ligjit.

Në bazë të vlerësimit të kritereve dhe të çmimit janë përzgjedhur fituesit. Në rastin në fjalë nuk ka asnjë vërejtje lidhur me totalin e vlerësimit. Pra, komisioni ka bërë punën sipas kritereve.

Sikur këto kritere të ishin vendosur gabimisht, palët të cilët pretendojnë se Komuna i ka shkelur të drejtat dhe nuk ka zbatuar drejtë Ligjin dhe udhëzimet administrative, kanë pasur mundësi ligjore që të drejtat e tyre t’i mbrojnë në procedura administrative dhe gjyqësore, pa pasur fare nevojë që kjo çështje të jetë objekt shqyrtimi nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Pala e pakënaqur nuk ka përdorur të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të tij në procedura administrative, e veçanërisht nuk ka hapur konfliktin administrativ, por i është drejtuar Prokurorisë.

Prokuroria nuk është organ kompetent i cili vlerëson se a janë zbatuar drejtë këto procedura dhe a janë vlerësuar drejtë ofertat. Prokuroria është që të vlerësojë se në këtë rast cilido nga anëtarët e komisionit eventualisht ka kryer vepër penale, ku fillimisht do të duhej të ofrojë prova bindëse se ndonjëri nga anëtarët e Komisionit ose të afërmit e tyre kanë përfituar nga veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit.

Meqenëse Prokuroria as nuk ka theksuar se ndonjëri nga anëtarët e Komisionit ka përfituar, atëherë si mund të vihet në përfundim se të njëjtit kanë kryer vepër penale.

Pra këtu një çështje administrative po trajtohet si vepër penale. Por në Prizren nuk është hera e parë që Prokuroria ndalon veprimet administrative të Komunës me veprime jashtëligjore. Tek ne, inspektorët persekutohen sepse implementojnë ligjin dhe rrënojnë objektet pa leje, derisa policët pa vendime të shkruara ndalojnë inspektorët në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, dhe pas 24 orëve nuk dorëzojnë vendimet me të cilat kanë bllokuar Komunën. Dhe në vend të kësaj, dalin në konferenca për shtyp. Në anën tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda intervenon në vendimet e Gjykatës, seancat për paditë që i dorëzon Komuna nuk mbahen me vite, ndërsa paditë e palëve kundër Komunës përfundojnë në afate rekorde.

Me siguri edhe ata që kanë shkruar kushtetutën kanë menduar që mund të ketë individë të tillë që mund të abuzojnë me sistemin e drejtësisë, prandaj edhe kanë paraparë në nenin 3 që “Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin”.

Me shpresë që ka pak dinjitet në këto institucione që në vend të drejtësisë kryejnë rolin e opozitës joparimore politike në Prizren.

Përndryshe në njërën nga intervistat që isha i thirrur në hetuesi, njëri nga hetuesit më pat kërkuar falje duke u arsyetuar që janë në presion të vazhdueshëm që të ngrisin padi ndaj meje, prandaj çdo vendim i imi hetohet. Plani i tyre ishte që në një afat sa më të shkurtë të ngrihet padi ndaj meje, ashtu që të jap dorëheqje dhe që Prizreni t’i kthehet atyre që e kanë ngulfatur qytetin.

Fatkeqësisht, derisa ata që i kam përpara nuk më frikësojnë, shumë më me dhimbje janë goditjet që vijnë nga prapa nga ata të cilëve iu kam besuar shpinën”, thuhet në reagimin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.