24-11-2024

Haskuka sqaron transportin dhe origjinën e lopëve të shpërndara për bujqit e Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka sqaruar cështjen e transportit dhe origjinën e lopëve, që një ditë më parë, Komuna ua ka shpërndarë fermerëve të kësaj ane, për të cilën disa zyrtarë nga opozita kritikuan për transportin me kamion nga Serbia.

Haskuka ka sqaruar se  99 krerët e lopëve, kanë prejardhje nga Sllovakia dhe këtë e vërteton edhe pasaporta e kafshës në foto, derisa ka paralajmëruar padi për dezinformatë në Gjykatë.

Postimi i tij në facebook:

“Disa zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së kanë dezinformuar opinion publik duke shpifur kinse lopët qumështore janë me prejardhje nga Serbia.

Origjina e kafshëve identifikohet nga shenjat identifikuese të kafshëve (vathët – matrikujt e vendosura në vesh) dhe dokumentacionet përcjellëse si pasaporta dhe certifikata shëndetësore veterinare, dhe jo nga targat e mjetit transportues.

Fotografia e Mytaher Haskuka

Sa i përket transportit të kafshëve, ai bëhet nga operatori ekonomik sipas standardeve evropiane dhe dispozitave ligjore në fuqi, duke i plotësuar kushtet si ndriçimi, ajrosja, ushqimi dhe uji i pijes, ndërsa operatori është i obliguar që ta përdorë mjetin transportues konform këtyre dispozitave ligjore.

Gjithashtu sipas Ligjit për Prokurimin Publik, Komuna duhet t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe nuk mund të përcaktojë kritere diskriminuese, në këtë rast të përcaktojë regjistrimin e mjetit transportues.

Të gjitha këto pretendime janë me qëllim që t’i vëjnë hije një procesi mjaft transparent dhe profesional në përzgjedhjen e fermerëve përfitues të komunës sonë. Ndryshe nga sivjet kur patëm numër rekord të aplikuesve, në vitin 2016 kur ishte qeverisja e kaluar nuk ka pasur as thirrje publike dhe shpërndarja është bërë në baza partiake, ndërsa në vitin 2017 projekti nuk është realizuar fare.

Ne do të vazhdojmë me punën tonë, ndërsa për shpifësit veçse i kemi filluar procedurat për padi në Gjykatë”, ka shkruar ai. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.