Haskuka viziton pronarët e bizneseve në Vërmicë
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë një takimi me pronarët e bizneseve të hotelerisë dhe gastronomisë në Vërmicë, të cilët kanë mbajtur mbyllur restorantet shkaku i pandemisë, ka diskutuar për rëndësinë e respektimit të masave dhe angazhimin e komunës për të krijuar lehtësira, në mënyrë që sado pak të rikuperohen humbjet financiare nga kjo periudhë, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Postimi i Haskukës:
Si një ndër komunitetet me të prekura nga pandemia është edhe ai i biznesit, e në veçanti i atyre që merren me veprimtari të hotelierisë dhe gastronomisë. Gjatë kësaj kohe pandemie këto biznese kanë qenë të detyruar t’i mbyllin lokalet e tyre, duke i respektuar kështu masat e përcaktuar nga Qeveria dhe ministritë përkatëse.
Sot në një takim në ambient të hapur me disa pronarë të këtyre bizneseve nga fshati Vërmicë, diskutuam për rëndësinë e respektimit të masave dhe angazhimin tonë si Komunë për të krijuar lehtësira në mënyrë që sado pak të rikuperohen humbjet financiare nga kjo periudhë.
Gjithashtu në këtë fshat takuam edhe shtabin emergjent lokal për të mësuar nga afër gjendjen e krijuar nga pandemia dhe nivelin e respektueshmërisë së masave.
Angazhimi dhe vigjilenca e gjithsecilit është e domosdoshme që ta tejkalojmë sa më lehtë këtë betejë.