18-06-2026

Dyshohet për dhu*në në familje e ar*mëmba*jtje pa leje, burri i prokurores dërgohet në paraburgim

Bashkëshorti i prokurores së Prizrenit, Ervehe Gashi, Bajram Gashi, është dërguar në paraburgim nën dyshimin se i njëjti ushtroi dhunë në familje, pati në pronësi armë pa leje si dhe për lëndim trupor.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit në lidhje me vendimin ndaj burrit të prokurores. Gjykata në Gjilan i ka caktuar 30 ditë paraburgim Bajram Gashit nën dyshimin për tri vepra penale.

KALLXO.com ka kontaktuar Ilir Rashitin, avokatin e Bajram Gashit.

“Klienti im në këtë rast sipas kërkesës për caktimin e masës së sigurisë po dyshohet për armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe lëndim trupor. Unë nuk e kam përfaqësuar në deklarimin e tij në polici nuk e kam deklaratën e tij të dhënë në polici. Është e vërtetë që ka ndodhur një konflikt në mes të klientit me bashkëshorten dhe djalin e tij”- tha Rashiti.

Në anën tjetër, i njëjti konfirmoi se janë kërkuar edhe disa ekzaminime nga prokurorja që ka rastin por që këto ekzaminime janë kundërshtuar nga avokati Rashiti.

Gjithashtu Rashiti tha se për çështjen e armëmbajtjes pa leje, Bajram Gashit i është gjetur një pushkë gjuetie.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokuroren Ervehe Gashi. E njëjta nuk ka pranuar që të flas për rastin se për çka është arrestuar dhe është dërguar tashmë në paraburgim bashkëshorti i saj.


 

Sipas dojses që ka siguruar KALLXO.com, ngjarja dyshohet se u regjistrua më 15.06.2026 rreth orës 6 të mëngjesit. Sipas përshkrimit të ngjarjes, Bajram Gashi dyshohet se kishte shkuar në shtëpi në orët e hershme të mëngjesit dhe kishte nisur një fjalosje me bashkëshorten e tij, prokuroren Ervehe Gashi.

Në deklaratat që kanë dhënë në polici në ditën ngjarjes, prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se Bajram Gashi ka ushtruar dhunë fizike ndërsa të njëjtën e kishte pohuar edhe vetë i dyshuari duke thënë se kanë pasur një mosmarrëveshje brenda ambientit familjar, e madje e ka pranuar edhe se ka goditur djalin e tij.

Për shkak se prokurorja Gashi ushtron detyrën e saj në Prokurorinë e Prizrenit, rasti është bartur për trajtim në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Bajram Gashit.

Asnjë koment

Comments are closed.