24-11-2024

Haskukës i kërkohet shkarkimi i drejtorit të Financave, pas aktakuzës

Përfaqësues të degës së PDK-së në Prizren, por edhe ata nga shoqëria civile kanë kërkuar nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka shkarkimin nga pozita të drejtorit për Financa në Prizren, si dhe zyrtarit të këtij resori, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër Zenel Ahmetajt, në cilësinë e ud. drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Prizren, dhe Ertan Simitçiut, në cilësinë e drejtorit të kësaj Drejtorie, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, ata pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me ligjet lidhën kontrata për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit, me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni.

Pas kësaj, ka reaguar koordinatori i degës së PDK-së në Prizren, Jeton Bytyçi.

Përmes faqes së tij në “facebook”, ndër tjë tjera ai ka shkruar se pavarësisht kohës se kur ka ndodhur vepra, sot ” kryetari” i Komunës do të duhej t’i shkarkonte nga pozitat të apostrofuarit.

“Besa bashkë me ta do të duhej të shkonte edhe “kryetari” më i dështuar në historinë e Prizrenit. Qeveri me duar të “pastërta”. Ky term mbetet vetëm premtim elektoral i koalicionit të famshëm në Prizren, gjatë premtimeve që tashmë po dalin të jenë retorikë dhe premtime boshe”, ka shkruar ai.

Në anën tjerë, edhe zyrtari i KDI-së në Prizren, Naim Cahanaj, në një postim të tij ka aluduar në dorëheqje apo shkarkime në këtë rast.

“A ka dorëheqje apo shkarkim?! Nejse, ka standarde mbi standard. Për dikë është standard me vazhdu me punu duke u thirr në prezumimin e pafajësisë dhe derisa shtjerrën të gjitha mjeteve juridike. Ky standardi vazhdon me qenë sindrom i politikës dhe njerëzve politikë në funksionet publike. Pse dikush me qenë i pari me ndryshu ketë standard.

Aman veç mos shitni moral tani e tutje”, ka shkruar ndër tjera ai në “facebook”. / GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.