26-09-2026

Tragjedi në rrugën Prizren- Suharekë, humb jetën 20-vjeçari pasi vetura del nga rruga dhe rrotullohet

Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit në fshatin Lutogllav të Prizrenit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 01:05, një veturë e tipit VW Passat, e cila po lëvizte në drejtimin Suharekë–Prizren, ka dalë nga rruga në afërsi të shkollës fillore “Besim Ndrecaj”.

Sipas të dhënave fillestare, drejtuesi i automjetit, Yll Latifi, 19-vjeçar, dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe rrethanat në komunikacion, ndërsa në atë kohë sipërfaqja e rrugës ishte e lagësht dhe kishte errësirë.

Automjeti ka humbur kontrollin, ka dalë në anën e djathtë të rrugës, është rrotulluar dhe më pas është ndalur në hapësirën jashtë rrugës, pranë auto-servisit “BAF”.

Si pasojë e aksidentit, Orlent Xhafiqi, 20-vjeçar, ka humbur jetën.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi, ndërsa më pas do t’u lirohet familjarëve.

Drejtuesi i veturës ndodhet aktualisht në trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa me urdhër të Prokurorit është ndaluar në mbajtje.

Rasti mbetet i hapur dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.