11-10-2024

Haxhi Shala mbetet në paraburgim, dëshmitari i parë pritet të paraqitet nga mesi i nëntorit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim që të hudhet poshtë kërkesa e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit, me të cilin i vazhdohej paraburgimi.

Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep.

“Më 19 shtator, kryetarja Ekaterina Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit të Gjykatës Supreme, në të cilin u hodh poshtë kërkesa e z. Shala për mbrojtjen e ligjshmërisë në lidhje me vazhdimin e paraburgimit të tij”, tha Griep.

Zëdhënësja tha se Paneli i Supremes ka konstatuar se nuk kishte shkelje të konsiderueshme të procedurës nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili fillimisht e vazhdoi paraburgimin e as nga Paneli i Apelit, i cili e konfirmoi atë vendim.

“Paneli i Gjykatës Supreme konstatoi se nuk kishte shkelje të konsiderueshme të procedurës nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili fillimisht urdhëroi vazhdimin e paraburgimit, ose nga Paneli i Apelit i cili e konfirmoi vendimin. Duke qenë se z. Shala kërkon rishikim të vendimit të mëparshëm, kryetarja (Trendafilova) caktoi të njëjtit gjykatës: Ekaterina Trendafilova, Kristinë van de Vajngart dhe Daniel Fransen”, tha ajo, raporton Betimi për Drejtësi.

Ajo tha se në këtë çështje gjyqësore, gjykimi pritet të fillojë më 11 nëntor, ndërsa dëshmitari i parë pritet të dëgjohet në mes datave 11 dhe 15 nëntor 2024.

Asnjë koment

Comments are closed.