Haziri i përgjigjet Konjufcës së Vetëvendosjes për ultimatumin: Mos e merrni nëpër këmbë vullnetin tonë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri iu është kundërpërgjigjur në një deklaratë për Gazetën Express, shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës që i dha partisë së Isa Mustafës ultimatum deri më 23 gusht për të vendosur për koalicione. Haziri ka kërkuar nga Konjufca që të ketë edhe pak durim, sepse, sipas tij këta janë afër vendimeve. Nënkryetari i LDK-së ka kërkuar nga Vetëvendosje që të mos e nëpërkëmbin vullnetin e tyre, shkruan Gazeta Express.
Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në T7 ka dhënë ultimatum drejtuar LDK-së, së Isa Mustafës, duke thënë se e presin këtë parti vetëm deri më 23 gusht, për të vendosur për koalicionet.
“Pas 23 gushtit ne nuk e presim më shumë LDK’në, ndoshta vetëm edhe nja 2-3 ditë tjera”, ka thënë Konjufca. Kjo sipas tij po bëhet për të mos humbur më shumë kohë, derisa i njëjti u shpreh se kryeministri, do të jetë i VV-së edhe nëse i bashkojnë forcat me LDK-në.
Këtyre deklaratave iu është përgjigjur sot gjatë ditës në një prononcim për Gazetën Express, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, që njëhërësh është edhe një nga emrat e lakuar si kandidat i kësaj partie për kryeministër.
“Nuk kam koment për besë! LDK ka bashkëpunuar në dy nivele me VV dhe në çështjet që na bashkojnë e jo në ato që na dallojnë. Vullnetin tonë nuk është mirë me nëpërkëmbë me ultimatume politike”, tha nënkryetari i LDK-së, derisa, tutje, ka dhënë edhe një porosi për Konjufcën duke ura rikujtuar që nuk kanë shkuar te varri i Ibrahim Rugovës.
“Ne kemi agjendën tonë dhe i përmbahemi asaj… meqë durimi është vlerë që e kultivon LDK, atëherë i them Glaukut: Pak durim se jemi afër vendimeve…mos e harroni casjen e Ibrahim Rugovës se nuk përballohet lehtë po ashtu”, ka thënë Haziri për Express.
Ultimatumi i Vetëvendosjes, ka jetëgjatësi vetëm një ditë pasi që të votohet në Kuvend të Kosovës për shpërndarje dhe shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Po në të njejtën ditë (23 gusht), Mustafa ka thirrur mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë që ai udhëheq, derisa, pritet që LDK të diskutojë për dy pika të rendit të ditës. Nuk u bë e qartë a do të dilet me kandidatin për kryeministër.
Që nga dorëheqja e Haradinajt nga posti i kryeministrit, Vetëvendosje i ka bërë thirrje LDK-së për koalicion, por, që të dy këto parti nuk po dakordohen sa i përket postit të kryeministrit./GazetaExpress/