21-03-2025

Hekurudha Shkodër-Gjakovë do të ketë 7 stacione, disa tunele e ura ( traseja )

Tashmë është konfirmuar se ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projektidea për hekurudhën kombëtare Durrës-Prishtinë.
Ndërkaq, Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës, njoftoi se segmenti i hekurudhës Shkodër – Gjakovë do të ketë 7 stacione dhe një gjatësi prej 105.8 km, përcjell Gazeta e Prizrenit.

“Ky investim strategjik infrastrukturor do të përfshijë 43 ura dhe 14 tunele, me një gjatësi totale tunelesh prej 35.3 km. Sipas ekspertëve dhe studimit të fizibilitetit tashmë të realizuar, kostoja e këtij segmenti përllogaritet në 1.8 miliardë euro”, njoftoi ai.

Sipas tij, nga kjo shumë, rreth 1.7 miliardë euro janë të nevojshme për ndërtimin, ndërsa pjesa tjetër përfshin kosto për leje, shpronësime dhe detaje të tjera teknike.

Beci ka deklaruar se ky investim rikthen në vëmendje historinë e Shkodrës dhe lidhjen e saj shekullore me Gjakovën përmes hekurudhës. Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.