Heronjtë Toni e Mici përjetësohen në pulla postare
Në 20- vjetorin e rënies së heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe SelajdinMullabazi-Mici nga qyteti i Rahovecit në sallën e kuvendit komunal të Rahovecit, Posta e Kosovës ka bërë përurimin e pullave postare për heronjtë Toni dhe Mici.
Në fjalën e tij kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur se sot është edhe një nder që i bëhet Rahovecit me rrethinë, pasi që Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullabazi, në njëzetvjetorin e rënies për liri, po jetësohen në një pullë postare, që ka emblemat e luftës për çlirimin e Kosovës.
“Në 20-vjetorin e dëshmorëve të kombit që ranë tek kryqi i Opterushës jemi të lumtur që figurat e tyre të gdhendura në gurë e pllaka përkujtimore, sot po marrin edhe një dimension tjetër, siç është pulla postare që do të arrij në çdo skaje të globit”, ka thënë ndër të tjera Latifi.
Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, tha se sot është një ditë e veçantë dhe e lumtur për të sepse posta e Kosovës lëshon në qarkullim një pullë postare shumë të vlefshme, e cila u dedikohet dy heronjve të kombit Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici.
“Toni dhe Mici ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me trimërinë dhe shkathtësitë e tyre ushtarake, ata motivuan shumë të rinj dhe të reja që tu bashkohen UÇK-së edhe në rrethinën e Rahovecit por edhe në të gjithë Kosovën”, ka thënë Hoxha.