Ndërtimi i hidrocentraleve në Zhupë i dëmshëm për ekosistemin, bujqësinë e turizminKomuna e Prizrenit sot ka organizuar konferencë me temën “Për zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Zhupës – Kundër Hidrocentraleve”, ku u diskutua për pasojat e mundshme që mund të paraqiten në rast të ndërtimit të hidrocentraleve të planifikuara në këtë pjesë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në konferencën e organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si panelistë morën pjesë Rasim Demiri, ministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Fabien Techene, menaxheri i projektit World Wide Fund for Nature, Hasim Kryeziu nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri, dhe Memnuna Ajdini e Eshref Memaj, nënkryetarë të Komunës së Prizrenit.
Gjatë kësaj konference u dëgjuan edhe mendimet dhe rekomandimet nga pjesëmarrësit e tjerë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, drejtorët e asamblistët komunalë, përfaqësuesit e fshatrave të rajonit të Zhupës dhe përfaqësuesit e OJQ-ve lokale e ndërkombëtare.
“Në fund të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve në Zhupë do të shkaktojë një dëm të madh si për ekosistemin e këtij rajoni, ashtu edhe për mundësinë e zhvillimit të bujqësisë dhe të turizmit malor, dhe me këtë rast nënshkruan një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës nga organet kompetente u kërkua anulimi i ndërtimit të këtyre hidrocentraleve”, thuhet në kumtesën e Komunës./ GazetaePrizrenit.net