12-12-2024

Paraburgim shtetasve nga Shqipëria për rrahje në pikën kufitare të Vërmicës

Gjykata Themelore e Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 1 (një) muaji, ndaj të pandehurve me iniciale L.H. dhe R.H. që të dy nga Republika e Shqipërisë,  për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale, lëndim i lehtë trupor dhe kanosje, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se me datën 15.06.2019, rreth orës 17:00, saktësisht në pikën kufitare në Vërmicë në bashkëveprim i shkaktoj lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit me iniciale  A.J.

“Pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me  linjën e autobusëve  për shkak se të pandehurit dhe i dëmtuari kanë kompani të transportit rrugor dhe me që të pandehurve nga ana e pikës kufitare në Vërmicë, nga ana e zyrtarëve të doganës i ishte bërë e pamundur hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos pajisjes me leje përkatëse, ndërsa i dëmtuari ishte duke i kryer kontrollimet nga ana e zyrtarëve të Doganës dhe derisa i dëmtuari qëndronte afër bagazhit të automjetit të tij, të pandehurit e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grusht në pjesë të ndryshme të trupit.

Me këto veprime të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore të përshkruar si në raportin mjekësor.

Po ashtu me datë, kohë dhe vend të njëjtë, seriozisht e kanosin të dëmtuarin me fjalë,  vepra apo gjeste se do t’i shkaktojnë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit me fjalë “ti nuk ke shans me hy në Kosovë me punua, se ne të vrasim”, me të cilat veprime tek i dëmtuari kanë shkaktuar frikësim dhe shqetësim të madh”, thuhet në kumtesën e gjykatës./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.