23-04-2024

Historia e flamurit kombëtar në Zym të Hasit

Shkruan: Frrok KRISTAJ

 Lëvizjet e banorëve të Zymit të Hasit, si kudo në viset tjera etnike shqiptare, për liri kombëtare, për fe e atdhe, për gjuhë, shkollë e tradita kulturore, nuk kanë pushuar asnjëherë. Në këto lëvizje rol kryesor ka luajtur kisha në bashkëpunim me komunitetin atdhedashës.

Në kohën e shërbimit në Zym të famullitarit patër Pashk Prela, pastaj të vëllait të tij, patër Marjanit, si dhe të mësuesit shkodran Fran Gaspër Lufit dhe të mësuesit zymjan Pal Lumezit, gjatë viteve 1912-1920, janë zhvilluar lëvizje të konsiderueshme në aspektin kombëtar.

Në fakt, në janarin e viti 1913, patër Pashk Prela dhe mësuesi Fran Gaspër Lufi, tubuan banorët e Zymit dhe të rrethinës për ta ngritur Flamurin Kombëtar Shqiptar në shenjë të njohjes dhe përkrahjes së Pavarësisë së Shqipërisë (Jaho Brahaj “Flamuri i Kombit Shqiptar”, fq. 166, Tiranë, 2002).

Po ashtu, edhe nga shënimet e zymjanëve për solidarizim me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në mes tjerash thuhet se “Në “Zym, në ditët e para të vitit 1913, sapo u larguan paksa ushtritë serbe e malazeze, popullata e tubuar edhe nga fshatrat përrreth, me një solemnitet rasti, që e udhëhoqi Patër Pashk Prela, i cili edhe e ngriti Flamurin Kombëtar në kambonarën e kishës duke përshëndetur Qeverinë e Vlorës e për ta njohur si të vetmën qeveri ligjitime për të gjitha viset etnike shqiptare”.

Për lëvizje të tilla, edhe Agim Spahiu në veprën “Kurpalët”, shkruan: ”Në vitin 1914, betejat më të ashpra për çlirmin e trojeve shqiptare, zhvillonen në Zym dhe në Gjakovë…”.

Në anën tjetër, sa i përket flamurit, në shënimet dhe ditarët e zymjanëve thuhet se Patër Filip Palaj, më largimin e ushtrisë sërbo-malazeze, më 19 prill 1941, vendosën që të nesërmën, pra më 20 prill 1941, ta ngritin Flamurin Shqitar në stacionin e gjandarmërisë, në Zyren e Millan Stojanoviqit, si dhe në Qelenë e kishës dhe në kambanarën e saj.

Ndërkaq, sa i përket kësaj çështjeje madhore, dhe për t’i vërtetuar të dhënat për këto ngjarje të rëndësishme, do të thirremi në deklaratën e Tahir Sallah Hamelit nga Mazrreku i Hasit, ku i përmenduri thotë se “Ishte viti 1946. Isha komandant i policisë në Zym. Ishte 28 Nëntori. Unë me disa shokë gjendeshim në një dyqan në Zym. Planifikoja një befasi të këndshme për shokët. Mendova në vete: Po unë e di ku është i fshehur Flamuri Kombëtar i Bajram Currit! Po, ai është i fshehur nën rrasën e një varri në “Vorret e Sh’masjanit”, varreza këto të besimtarëve katolikë te lagja “Te kryqa”. Më pastaj u tregova shokëve. …dhe pa u hamendur shkuam së bashku te “vorret e “Shmasjanit”. Atje e ngritëm rrasën dhe nga aty e nxorëm Flamurin Kuq e Zi.

Në fakt, ai Flamur ishte Flamuri i Mikel Gegë Kolgjerajt, të cilin Mikeli e kishte pas dhuratë nga Bajram Curri. Dhe pasi e morem Flamurin, uruam në mes veti Festën e Flamurit dhe shkuam në qendër të Zymit ku i sollem tupangjinjtë nga Bregdrini, e me ç’rast kënduam e vallëzuam. Më vonë ashtu të bashkuan vazhduam në fshatin Gjonaj…

Të nesërmën më ftoi Komanda e Qarkut të Policisë në Prizren. Me atë rast më shkarkuan nga detyra e komandantit të Stacionit të policsë në Zym dhe më caktuan polic të thjeshtë në Prizren” (Mr. Bajram Bytyçi, mr. Enver Batiu “Tahir Hameli në kërkim të lirisë” – kujtime, fq. 88, Prizren, 2004).

Do përmendur se lëmizjeve të këtilla para dhe pas vitit 1912 i janë përgjigj edhe shumë zymjanë nën organizim të Mikel Gegë Kolëgjerajt, i cili duke e ushtruar zejen e bukëpjekësit në Gjakovë, kishte fituar simpati të sinqertë dhe të ngushtë me Bajram Currin, të cilin shpesh e kishte pas edhe mysafir e mik shtëpie në Zym. Ai kishte vepruar edhe në vendet tjera si në Krumë, Tropojë e gjetiu. Nga ky bashkëpunim, Bajram Curri ia kishte dhuruar një Flamur Shqiptar, të cilin me gjelozinë më të madhe e kishte ruajtur derisa pushteti jugosllav ia kishte rrëmbyer.

Të shtojmë se fshati Zym, kishte flamurin e vet kombëtar me mbishkrimin “Rrnoftë Shoqnia Shqiptare – Rrnoftë Shoqnia e Zymit”, të cilin e kishin punuar, përkatësisht qëndisur në Shkodër.

Foto në ballinë:

Ngritja e Flamurit Kombëtar në Kishë të Zymit (Janar 1913)

 

Asnjë koment

Comments are closed.