Historia e tubimit te Lisi i Zojzit, që tronditi Portën e Lartë
Në kryengritjen antiosmane më 1 mars 1885, u ndërmor një sulm i kombinuar me lumjanët mbi Prizren. Qyteti u sulmua nga jugu, veriu e perëndimi. U goditën edhe muret dhe çatitë e shtëpive, por afër mbrëmjes, zjarri i armëve nisi të pakësohej dhe topat heshtën. Qëllimi i kryengritësve për të pushtuar Prizrenin nuk u arrit nga moskoordinimi i sulmeve dhe nga mungesa e armatimit.
Ata u tërhoqën nëpër kodrinat rreth Prizrenit dhe nuk ndërmorën sulme të tjera. Po ashtu, edhe ushtria osmane përforcoi pikat nga mund të hyhej në qytet, por nuk kundërsulmoi. Gjendja mbeti e tillë deri më 5 mars, kur, për të qetësuar situatën dhe për të ndërmjetësuar, qeveritarët e sanxhakut sollën nga Gjakova një shpurë krerësh të prirë nga Riza bej Kryeziu, kajmekam i atjeshëm dhe fistar i Rrustë Kabashit. Në atë shpurë bënte pjesë edhe Sulejman Vokshi.
Kundër çarmatimit
Kështu mbaroi faza e parë e kryengritjes antiosmane të viteve 1884-1885, ku – siç u tha më sipër – një rol të rëndësishëm drejtues dhe komandues pati luajtur Rrustë Kabashi, i cili do të shquhej edhe më vonë, në lëvizjet për liri e pavarësi kombëtare. Për të kundërshtuar vendosjen e linjës telegrafike, krerët e Shtiqnit, me nismën e kryeplakut Ymer Sula, pjesëmarrës në tubimin te Lisat të Zojzit, organizuan një kuvend, i cili u shpreh kundër regjistrimit të popullsisë, sidomos të femrave, e kundër çarmatimit. Si kuvendarë njihen Bajram Gjuta, Berë Lami, Jonuz Hajdari (i moçmi), Jonuz Hasani, Asllan Liman Muja, Sulë Shahini, Jahë Mata, Dullë Mehmeti, Sulë Voka, Shemsi Bera etj. Kuvendarët lidhën besën për t’iu përgjigjur edhe me armë çdo përpjekjeje të pushtetit për t’iu imponuar reformat.
Atij kuvendi i bën jehonë një këngë popullore e shënuar që në vitet 50 të shek të kaluar. Agron Hoxha është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se Kuvendi i asaj kohe vendosi që pa marrë një përgjigje, përfaqësuesit nuk do të shpërndaheshin, do të qëndronin në Zojz e rrethina (përdrinasit) dhe në Poslisht (lumjanët).
“Mbledhja e krerëve të popullsisë së sanxhakut (Lumës, Podrimës, qytetit të Prizrenit etj. në kuvendin te Lisi i Zojzit dhe vendimet që u morën aty tronditën pushtetarët vendorë dhe Portën e Lartë. Pushtetarët e Prizrenit sapo u njoftuan për besën e lidhur te Lisi i Zojzit, sidomos për vendimin për të hyrë në qytet të armatosur dhe për të imponuar kërkesat e tyre, krahas masave të tjera, dërguan edhe dy delegacione, njëri në Zojz, ku qenë tubuar pëdrimasit, dhe tjetrin në Poslisht, ku kishin zbritur lumjanët, që t`i bindnin kryengritësit të hiqnin dorë nga planet e tyre dhe të shpërndaheshin”. Zojzi njihet edhe për bujari dhe bukëdhënie.
Fshati po pakësohet
Mirëpo, Durak Thaçi, kryetar i këtij fshati, tregon për gazetën “Kosova Sot” se këto këngë u bartën ndër breza dhe banorët e këtushëm u ndien përherë krenarë. Ai shton se banorët e fshatit janë kryesisht banorë të ardhur, por me një rrënjë të hershme nga këtu. “Ata ndihen krenarë se i përkasin këtij fshati që ka një histori të lavdishme kombëtare”. Durak Thaçi shpjegon faktin se tani fshati ka 140 familje, me rreth 1200 banorë. Nga secila familje, thotë shumica e banorëve punojnë jashtë Kosove.
Ai për “Kosova Sot” kishte një brengë që dëshironte ta ndante edhe me lexuesit, ajo ishte rënia e numrit të nxënësve në shkollën e këtij fshati. Ai shpjegon faktin se tashmë Zojzi pos historisë së lashtë për “Lisin e Zojzit” frymon me hallin e madh se po zvogëlohet numri i nxënësve. “Kjo shkollë shtatë vjet më parë kishte 240 nxënës e tani numri ka rënë në vetëm 200 nxënës”. (Kosova Sot)