24-11-2024

Hollësi të reja rreth vdekjes së 22 vjeçarit nga Mushtishti

22 vjeçari ishte duke e pastruar rezervuarin e naftës kur humbin jetën.

Rasti nga Prokuroria e Prishtinës është cilësuar si vdekje e dyshimtë. Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka për Insajderin tha se janë ndërmarrë disa hapa për ta zbardhur rastin.

Ai ka bërë të ditur se përveç dëshmitarëve të njohur për hetuesinë që janë duke u marrë në pyetje, në duar kanë edhe kamerat e kompanisë në fjalë si dhe telefonin e tashmë të ndjerit.

“Përveç dëshmitarëve të cilët janë të njohur për hetuesinë, janë ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e këtij rasti, si dërgimi i kufomës në autopsi, si dhe, ekzaminimi i kamerave dhe telefonit të të ndjerit, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes”, tha kryeprokurori Beka për Insajderin.

Në vendin e ngjarjes, ku ka vdekur 22 vjeçari, i pranishëm ka qenë edhe Inspektori i punës nga Komuna e Graçanicës, ka konfirmuar Beka.

Gjatë ditës së sotme, Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka tentuar të hyjë në kompaninë e derivative, “Labi Oil”, për t’a parë nga afër vendin e ngjarjes, ku humbi jetën i riu nga Mushtishti. Në një përgjigje për Insajderin Ibrahimi ka sqaruar përse nuk ka mundur të hyjë brenda kësaj kompanie.

Ai ka thënë se në kompaninë “Labi- Oil”, nuk ka qenë askush, as nga punëtorët e as nga pronarët.

Ibrahimi ka thënë se nga sigurimi i objektit i është thënë atij se të gjithë kanë shkuar në varrimin e 22-vjeçarit, andaj sipas tij kjo ka qenë arsyeja përse nuk e ka vizituar vendin se ku ka vdekur i riu nga Suhareka.

Ai tha se arsyetimi ka qenë i pranueshëm nga ana e tij dhe për këtë arsyeje nuk e ka insistuar ta vizitojë vendin e ngjarjes.

“Është e vërtetë pamjet që kanë dal dhe janë pamje reale që janë paraqitur. Por çështja është se faktikisht ata nuk kanë qenë aty kanë qenë në varrimin e të ndjerit dhe nuk ka qenë asnjë punëtorë tjetër aty përveç sigurimit i cili po ashtu nuk është punëtor i kompanisë”, ka deklaruar Ibrahimi.

Kryeinspektori, ka thënë se nesër do të vërtetohet nëse ajo çfarë i është thënë ka qenë e vërtetë apo jo.

“Ky ka qenë arsyetimi ne do të shohim nesër a qëndron kjo apo jo, por sipas një deklarimit ata janë në Suharekë në varrimin e të ndjerit”.

“Ne kemi besuar se vërtetë janë në varrim për shkak se ne kemi edhe forma të tjera me anë të policisë që ta vizitojmë vendin e ngjarjes. Ne e kemi pranuar si arsyetim dhe përsëri do të shkojmë nesër për ta vizituar vendin e ngjarjes”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Ibrahimi ka paralajmëruar se nëse kompania insiston që Inspektorati i Punës të mos e vizitojë këtë kompani, do të kërkojë ndihmë nga Policia e Kosovës.

“Në qoftë se nuk dëshirojnë që ne të futemi aty ne do të reagojmë me polici, për shkak që Inspektoratin e Punës nuk ka askush që e ndalë”, ka deklaruar ai.

Theksojmë se sipas statistikave në vend, gjatë vitit të kaluar, për shkak të pasigurisë në vendin e punës, kanë humbur jetën 23 persona, 12 në sektorin e ndërtimit. Në vitin 2017, 19 persona humbën jetë./Insajderi.com

Asnjë koment

Comments are closed.