Hovenier thotë se themelimi i Asociacionit nuk ka opsion: Është marrëveshje ligjërisht e obligueshme
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë takimit me gazetarë është pyetur në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Ai është shprehur se themelimi i këtij Asociacioni nuk ka opsion dhe sipas tij është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën, siç u shpreh ai, Kosova e ka marrë përsipër.
“Mbetet një qëndrim i qartë politik i ShBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka opsion. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit”, tha ambasadori.
Ai tha se besojnë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë.
“Kështu që pritja jonë është që Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë. Ky është një element i rëndësishëm kësaj përpjekjes së gjerë për të përshpejtuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën. Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, ata gëzojnë të drejtat në Kosovë, ata duhet të marrin të drejtat dhe mbrojtjen nga shtetit sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.